(E përditësuar) - Një person, 45-vjeçar është vrarë të premten në Mitrovicë.
Policia ka njoftuar se rreth orës 09:40 ka pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Fatime Hetemi”.
“Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes, ishte bërë e ditur se një person i dyshuar kishte shtënë me armë në drejtim të viktimës F. Z., 45 vjeçar, i cili fillimisht është dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicës, më pas ishte dërguar në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar te Kosovës 'SHSKUK'. Ndërsa, rreth orës 12:00 nga SHSKUK- ja, është raportuar se i plagosuri viktima ka ndruaj jetë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës thuhet se është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.
“Nga hetimet e zhvilluara në vendin e ngjarjes si dhe ekzaminimet e kryera, hetuesit policor si prova materiale kanë gjetur dhe sekuestruar gjashtë gëzhoja. Rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit në drejtim të identifikimit dhe arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale vrasje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ish-kryetar i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka shkruar më herët se i vrari ishte gjuajtur me armë gjashtë herë.
“Më indinjatë të thellë mora lajmin shokues për incidentin e rëndë që ndodhi sot në Mitrovicë, ku qytetari F. Zeqiri (40 vjeç) nga Vinarci, mbeti i plagosur rëndë pas të shtënave me armë ku u shkrepën 6 plumba në drejtim të tij. Ky akt, ndodhi prapa shpinës së tij, dhe gjendja e tij anipse e rëndë po vazhdon të monitorohet vazhdimisht nga emergjenca e QKUK-së”, ka shkruar Bahtiri.