Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në dy raste të ndara për substanca narkotike.
Në rastin e parë, është identifikuar një shtetas maqedonas që dyshohej se kishte në posedim të gatshëm për shitje sasi heroine.
“Të dyshuarit të lartcekur me veturë substancën e dyshuar narkotike ia kanë sjellë dy persona tjerë, të cilët janë larguar me veturë nga vendi i ngjarjes. Pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës tek personi i dyshuar janë gjetur 6 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë të përgjithshme prej 6.137.6 gramë, ku vlera e substancës së dyshuar narkotike e cila është konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 150,000 euro”, njoftoi Policia.
Janë sekuestruar edhe dy telefona, një veturë dhe 4305 denarë.
Personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë, kurse dy personat e tjerë janë në kërkim policor.
E, në rastin e dytë Policia në Ferizaj ka ndaluar për kontroll veturën me targa të huaja, ku gjatë kontrollit të veturës është gjetur një pako e cigareve, në brendi të së cilës ka qenë një qese najloni me substancë të dyshuar si e llojit kokainë.
Nën dyshimet se mund të gjendet edhe ndonjë sasi tjetër e narkotikëve është kontrolluar edhe shtëpia e të dyshuarit, por nuk është gjetur asgjë e dyshuar.
Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar, një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme 38.62 gramë, me vlerë rreth 3500 euro. Po ashtu Policia sekuestro para në monedhë letre 50 euro dhe 1500 kruna suedeze.
I dyshuari është në ndalim 48-orësh.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili ka përgëzuar policinë.
“Përgëzoj Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë për operacionet e suksesshme që rezultuan me sekuestrimin e substancave narkotike heroinë mbi 6 kilogramë dhe kokainë rreth 39 gram, në vlerë mbi 150.000 euro si dhe me arrestimin e dy personave. Përveç suksesit në goditjen e këtij aktiviteti kriminal është mbrojtur edhe jeta e të rinjve tanë që ishin potencial i përdorimit të tyre. Nuk do të ndalemi në hetimin dhe goditjen e aktiviteteve të tilla kriminale që helmojnë rininë tonë si dhe cenojnë jetën dhe sigurinë e tyre”, ka shkruar Sveçla në Facebook.