Kronikë

Prokuroria: Problemet familjare rezultuan me vrasjen e 60-vjeçarit në Prishtinë

Sipas Prokurorisë, një 60-vjeçar nga Prishtina është vrarë nga kunata e tij, pas problemeve familjare. Në vendin ku ka ndodhur vrasja, policia ka gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha, si dhe janë konfiskuar edhe arma dhe municioni

Problemet brenda një familjeje në Prishtinë kanë përfunduar me vrasjen e një 60-vjeçari në mbrëmjen e së martës, kanë treguar rezultatet e para të hetimit për rastin.

E dyshuar për vrasjen është kunata e viktimës, e cila është dorëzuar në Polici.

“Nga hetimet preliminare dyshohet se motivi i kryerjes se këtij akti janë problemet familjare, megjithatë rezultatet nga hetimi do t’i sqarojnë të gjitha rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë.

E dyshuara është vënë në ndalim prej 48 orësh, porse në organin e akuzës kanë theksuar se do t’i kërkohet gjykatës që asaj t’i caktohet masa e paraburgimit.

“Prokurori i Shtetit gjatë ditës së sotme ka paraqitur edhe kërkesën për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarës në gjykatën kompetente dhe pritet që të mbahet seanca e gjyqtarit të procedurës paraprake për të vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë”, ka theksuar Ulaj.

E, pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit gruas së dyshuar për vrasjen.

Gjykata ia ka caktuar një muaj paraburgim, e cila masë do të zgjasë nga data 20 gusht deri më datë 19 shtator. 

Ajo dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja nën pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Të dhëna për rastin janë ofruar edhe në raportin 24-orësh të Policisë. Në të është treguar se në vendin ku ka ndodhur vrasja janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha, si dhe janë konfiskuar edhe arma dhe municioni.

“Në cilësi të provave materiale është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, një karikator me 3 fishekë... Po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur edhe 27 fishekë, që janë sekuestruar në cilësi të provave materiale”, është bërë e ditur në raportin e Policisë.

Me vendim të prokurorit, i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. (Ardona Popova)