Kronikë

Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarit për vrasjen në Ferizaj

Arrestim

Foto Ilustrim

Prokuroria Themelore në Ferizaj e kërkoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh për dy të dyshuarit për vrasjen e një 89-vjeçari në fshatin Bibaj të Ferizajt. Rastin prokuroria e kualifikoi si vrasje të rëndë, e vendimin për masën e paraburgimit do ta marrë në seancën e paraparë për të dielën

30 ditë paraburgim ka kërkuar Prokuroria Themelore në Ferizaj për dy të dyshuarit me inicialet F.R e J.M për vrasjen në mbrëmjen e së premtes të një 89-vjeçari, para një salle dasmash në fshatin Bibaj të Ferizajt.

Prokuroria rastin e ka cilësuar si “Vrasje e rëndë”.

“I pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje që ta privojnë nga jeta sapo vërejnë të ndjerin se hynë në parkingun e lartëcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalën në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur në mjet të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të ndjerit, kurse i pandehuri F.R.,  me armën zyrtare automatike shtënë disa herë në të ndjerin S.S., dhe me atë rast vënë në rrezik edhe personat tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin, për pasojë i ndjeri ndërron jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në Policinë e rajonit të Ferizajt, thanë se i dyshuari nuk ka qenë në detyrë zyrtare në kohën kur e kreu veprën.

“Ka qenë me rroba civile dhe me veturë civile. Ka kryer veprën në vendin e ngjarjes. Këtu para lokalit. Fatkeqësisht, vrasja u krye me armë zyrtare. Është armë e gjatë, por s’është kallashnikov”, ka deklaruar zëvendësdrejtori i Policisë në rajonin e Ferizajt, Qazim Reka.

I kontaktuar nga KOHA, avokati i të dyshuarit për vrasjen, Arben Isufi, tha shkurt se klienti i tij është mbrojtur në heshtje për akuzat që i vihen në barrë.

E zyrtari policor i dyshuar për vrasjen është suspenduar nga detyra me vendim të Inspektoratit Policor. Seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit pritet të mbahet të dielën. 
Gjatë ditës, në disa media pati raportime që e implikuan presidenten Vjosa Osmani dhe bashkëshortin e saj me rastin. Këto raportime, nëpërmjet një reagimi publik, presidentja Osmani i quajti propagandë që kanë për qëllim nxitjen e urrejtjes, e cila, siç tha, pastaj rezulton me dhunë. Ajo u bëri thirrje institucioneve të sigurisë e të drejtësisë që të nisin hetime.

E pas thirrjes së presidentes për hetimet nga organet e sigurisë dhe të drejtësisë mbi publikimet e mediave për rastin, kanë reaguar në Asociacionin e Gazetarëve. Nëpërmjet një postimi në Facebook, në AGK e kanë kualifikuar si precedent të rrezikshëm e të papranueshëm thirrjen e presidentes Osmani për hetime ndaj mediave. Të papranueshme e të rrezikshme e kanë kualifikuar edhe akuzën e përsëritur nga presidentja se mediat punojnë për Serbinë.