Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar në Mitrovicë të Jugut, të cilat thuhet se janë zënë duke pranuar gjësende të paguara me kartela të huaja bankare.
Rasti është cilësuar si “lëshim i çeqeve pa mbulesë”, por nuk janë dhënë detaje të tjera.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi të njëjtit janë kapur në flagrancë duke pranuar gjësende të blera me kartela bankare të huaja. Gjatë kontrollit të shtëpive të personave të dyshuar , në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar: 2 telefona celularë, 2 kompjuterë, një llaptop si dhe disa dëshmi tjera”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Me vendim të prokurorit të dyshuarit thuhet se janë dërguar në mbajtje.