Një zyrtar policor është arrestuar në Dubravë të Istogut të martën, nën dyshimin se në shtëpinë e tij kishte qëlluar aksidentalisht një familjar 16-vjeçar.
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se personi është plagosur në kokë. 16-vjeçari është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Hetuesit e IPK-së menjëherë i janë përgjigjur thirrjes kurse në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet përkatëse policore si dhe prokurori kujdestar. Personi i plagosur në këtë rast (i moshës 16 vjeçare i cili ka lidhje familjare me policin) është dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës e pastaj është dërguar në QKUK në Prishtinë. Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në shtëpinë e zyrtarit policor i cili deri në këtë fazë të hetimit dyshohet se aksidentalisht ka shkrepur armën zyrtare”, thuhet në njoftim.
Zyrtari policor është arrestuar nën dyshimin për veprën “vrasje e mbetur në tentativë”.
Ai është ndaluar për 48 orë dhe është suspenduar nga detyra.
Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, i ka thënë KOHËS se i mituri është gjendje të rëndë dhe aktualisht është në sallë të operacionit.