Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka vdekur në QKUK një person si pasojë e lëndimeve të rënda që kishte marrë gjatë një rasti të dhunës në familje në Shtime më 12 maj të këtij viti.
Burri kishte qenë duke u trajtuar në QKUK që nga atëherë, por të shtunën ka ndërruar jetë.
Trupi i pajetë është dërguar në obduksion, ndërsa i dyshuari, djali i viktimës është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
“Shtime / 19.05.2024-19:30. Më datën e cekur në rastin dhunë në familje, viktima mashkull kosovar kishte pësuar lëndime trupore dhe deri më tani kishte qenë në QKUK në tretman mjekësor. Më datë 08.06.2024 nga QKUK është konfirmuar se viktima ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari mashkull kosovar-djali i viktimës është arrestuar dhe pas intervistimit është dërguar në qendrën e mbajtjes”, thuhet në raportin e policisë.
Në rastin e 12 majit dy burra dhe një grua kishin pranuar tretman mjekësor në QKMF të Shtimes, pasi të njëjtët dyshohet se ishin rrahur mes vete dhe kishin pësuar lëndime trupore. Njëri nga ta më pas u dërgua në QKUK.
“Shtime / 12.05.2024-19:30. Tre viktima, dy meshkuj dhe një femër kosovare kanë pranuar tretman mjekësor në QKMF- Shtime, pasi që të njëjti dyshohet se pas një mosmarrëveshje janë rrahur mes vete dhe si pasojë kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre është dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm. Rasti duke u hetuar”, u tha nga policia.