Zëvendësministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Radoica Radomiroviq, tha se është tentuar të vritet anëtari i partisë së Nenad Rashiqit, Marko Jablanoviq në Leposaviq. Sipas tij, atentatorit i kishte dështuar arma.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani, duke thënë se po zhvillohen hetime.
“Pas mesnatës sot dyshohet se ka ndodhur një rast tentimvrasje në Soqanicë, Komuna Leposaviq. Nuk ka të lënduar apo të arrestuar. Policia po merret me hetimin e rastit”, ka thënë Elshani për KOHËN.
Zëvendësministri Radomiroviq shtoi se në rast është i përfshirë edhe Milan Radoiçiq, i njohur si prijësi i sulmit në Banjskë.
“Ngjarja tragjike s’ka ndodhur pasi sulmuesit i kishte dështuar arma e tipit ‘Scorpion’. Nuk ka dyshim se pas atentatit qëndron regjimi i Beogradit dhe Radoiçiqi e kaubojët vendas, Slavko Simiq e Zoran Todiq...Dihet gjerësisht se unë e Marko e mbështetëm Aleksandar Jabllanoviqin për t’i sjellë ndryshimet e nevojshme në Leposaviq. Pasi Jabllanoviq u dakordua në Beograd me Aleksandar Vulinin, Vuçiqin dhe anëtarin e BIA-s, Dimiqin, që për pak para dhe privilegje të tërhiqej si kandidat për kryetar të Komunës së Leposaviqit, Marko dhe Navili tentuan t’i rifitonin dinjitetin e nevojshëm dhe të merrnin jetën në duar”, ka shkruar ai në Facebook.
Zëvendësministri për Kthim ka shtuar se ai dhe Jablanoviq janë kërcënuar me vrasje pasi “po punojnë për interesat e regjimit”. Radomiroviq shkroi se kërcënimet nuk do t’i ndalin.
KOHA ka provuar të marrë një përgjigje nga Rashiqi që është kryetar i Partisë Progresive Demokratike, por deri në momentin e raportimit kontakti me të ka qenë i pamundur.