Pejë

Vritet një grua, arrestohet bashkëshorti

Vrasje në Pejë

Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur në rrugën “Bill Clinton” në Pejë

Një grua është vrarë të martën në Pejë, e vrasja dyshohet se është kryer nga bashkëshorti i saj.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, e ka konfirmuar rastin për KOHËN, duke njoftuar se vrasja ka ndodhur me armë zjarri.

I dyshuari është arrestuar e në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet relevante.

“Në Pejë ka ndodhur një rast i vrasjes, ku dyshohet se në një banesë në qendër të Pejës bashkëshorti ka privuar nga jeta gruan e tij. Aktualisht në vendin e ngjarjes është kryeprokurori, prokurori, krimet e rënda dhe të gjitha ekipet relevante. Po e presim Mjekësinë Ligjore për të marrë trupin e pajetë. Është arrestuar i dyshuari”, ka thënë Nikçi.

Policia ka njoftuar se vrasja e 43-vjeçares ka ndodhur në rrugën “Bill Clinton”.

“Sot rreth orës 08:15, Policia është informuar se në rrugën ‘Bill Clinton’ në Pejë, ka ndodhur një rast, Policia menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes gjithashtu edhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës (femër), i dyshuari këtij rasti është arrestuar dhe ndodhet ne objektet e Stacionit Policor në Pejë”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Kjo është vrasja e dytë brenda pak ditëve në Kosovë.

Të premten (12 prill) është vrarë me armë zjarri një 21-vjeçare në Ferizaj në Qendrën për Punë Sociale.

Vrasja dyshohet se është kryer nga bashkëshorti i saj.

LEXO EDHE:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që të mërkurën (17 prill) ta shpallë ditë zie, duke shtuar se “shoqëria do të jetë ditë zie çdo ditë përderisa të ketë vrasje të grave dhe vajzave”.

“Fatkeqësisht sot të gjithë jemi zgjuar sot në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid me përmasa të jashtëzakonshme duhet të ndalet me çdo kusht. Mënyra e vetme për të ndalë atë është nëse rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet dhe si komb”, ka thënë Osmani.

Për këtë ndodhi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njëherit Koordinatore Kombëtare për Mbrojtjes nga Dhuna, ka mbajtur takim me përfaqësues të institucioneve së drejtësisë.

E, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka kërkuar konsolidim të gjyqësisë dhe të sigurisë për parandalimin e vrasjeve të grave.

Ai ka shtuar se lajmi i vrasjes së gruas në Pejë ishte i trishtueshëm.

Reagime për këtë rast ka pasur edhe nga opozita.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka ftuar organet e sigurisë të veprojnë me përgjegjësi ndaj rasteve të tilla, duke thënë se shteti “duhet të jetë mburojë për gratë”.

“Jeta e tyre nuk guxon të mbetet jetë për mbijetesë. Nga lehtësia e posedimit të armës së zjarrit, te gjendja reaktive e institucioneve tona, kushtet strehuese të grave që kërkojnë mbrojtje, e gjuha denigruese ndaj grave; problemet i kemi të shumta e veprimet plotësisht të pamjaftueshme. LDK do ta shqyrtojë çdo mundësi institucionale që të ngritë diskutimin rreth vendimmarrjes institucionale për parandalimin e rasteve të tilla”, ka shkruar LDK-ja në Facebook.

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka thënë se ky rast është alarmi që duhet të zgjojë secilin person që ka përgjegjësi për garantim të sigurisë së qytetarëve.

“Dy gra të vrara në tri ditë nga partnerët e tyre – të cilët kanë qenë edhe më parë të denoncuar në polici për çështje të dhunës në familje. Ky është alarmi që duhet të zgjojë secilin person që ka sado pak përgjegjësi për të garantuar sigurinë e qytetarëve – e institucionet shtetërore kanë më së shumti”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.