Vrasje e ish-gruas në Ferizaj

I dyshuari thotë se së pari gjuajti vëllain e viktimës e më pas vrau 21-vjeçaren

Valon Aliu

I dyshuari për vrasjen e ish-gruas në Ferizaj të premten, V.A., ka thënë se pas një konflikti e qëlloi fillimisht vëllain e ish-gruas, pastaj 21-vjeçaren dy herë, e më pas i kishte drejtuar armën vetes në kokë por që sipas tij kishte qenë e zbrazur.

Këtë deklarim i dyshuari e bëri të shtunën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku u mbajt seanca dëgjimore për caktimin e paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi”

“Revolen e kam pas me vete në kuk, fillimisht nëse nuk gaboj e kam rrok vllaun e saj, e më pas ish-bashkëshorten, nuk e di por nja dy herë kam shtënë në drejtim të saj, tani ja kam drejtu vetit armën në kokë por s’kish pasë plumba e pastaj kam ik te shtëpia”, deklaroi i dyshuari V.A.

Prokuroria Themelore në Ferizaj më 13 prill 2024, ka dorëzuar në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaj ndaj të dyshuarit për "vrasje të rëndë", V.A. Ai po ashtu akuzohet për "Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve".

E.C., 21 vjeç, u vra dje nga ish-bashkëshorti 36-vjeçar në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. I plagosur mbeti vëllai i viktimës 15 vjeç. Dyshohet se çifti kishin mosmarrëveshje për kujdestarinë e fëmijës.