Kronikë

I dyshuari për vrasjen e gruas, ka të kaluar kriminale

I dyshuari për vrasjen e ish-bashkëshortes në Ferizaj të premten, para objektit të Qendrës për Punë Sociale, ka të kaluar kriminale, ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Siç ka thënë zëdhënësja e kësaj prokurorie, Vjosa Baftiu, në emisionin “60 Minuta” në KTV, “sipas informatave të para të Prokurorisë, i pandehuri ka raste në Prokurori”.

Ajo ka thënë se nuk janë të konfirmuar natyra e veprave të tij në të kaluarën, por se dihet se “ka të kaluar kriminale dhe se figuron në sistemin e të kaluarës me vepra penale”.

V.A., 36-vjeçar, i dyshuar për vrasjen e gruas dhe plagosjen e vëllait të saj, u arrestua menjëherë pas ngjarjes. Siç ka thënë Prokuroria, ai është ndaluar për 48 orë. Viktima është E.C., 21-vjeçare e i plagosur është i mitur.

Drejtoresha për Punë Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi-Braha, ka thënë për “Betimin për Drejtësi”, se gjithçka ka ndodhur kur viktima dhe i dyshuari janë takuar për çështjen e fëmijës në QPS. Ajo ka thënë se nëna e ka sjellë fëmijën në qendër që të realizojë kontaktin me babanë, i cili pasi e ka takuar për dy orë, e ka kthyer në qendër. Ajo ka bërë të ditur se duke dalë nga qendra, burri ka takuar ish-bashkëshorten, dhe më pas kanë nisur tensionet. Ajo ka thënë se vrasja ka ndodhur para objektit të kësaj qendre.