Një 32-vjeçar nga Kosova është arrestuar të hënën në Portin e Durrësit, pasi ka tentuar ta kalonte kufirin me leje qëndrimi të falsifikuar.
Policia në Shqipëri ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar në flagrancë me leje qëndrimi false të shtetit francez.
Përveç tij, është proceduar penalisht edhe një 26-vjeçar nga Berati për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
“Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port Durrës, bazuar në analizën e riskut, kanë intensifikuar kontrollet, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi. Si rezultat, janë konstatuar 2 raste në këtë fushë, për të cilat: është arrestuar në flagrancë shtetasi A. K., 32 vjeç, banues në Kosovë, pasi ka tentuar të dalë nga vendi ynë, me një leje qëndrimi në shtetin francez, të dyshuar të falsifikuar, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Janë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 26 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se ka kaluar kufirin, në kundërshtim me ligjin”, thuhet në njoftim të policisë.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.