Kronikë

2013 aksidente me 9 të vdekur në tri javët e para të gushtit

Dy mijë e 13 aksidente trafiku janë regjistruar gjatë gushtit, në bazë të raporteve 24-orëshe të Policisë së Kosovës. Si pasojë e tyre, kanë vdekur nëntë persona. Derisa Policia thërret për kujdes, njohësit, në mesin e faktorëve, përmendin mungesën e ndërgjegjësimit

Nëntë persona kanë vdekur në aksidente trafiku gjatë tri javëve të para të gushtit, sipas raporteve ditore të Policisë së Kosovës.

Në po këtë periudhë, janë regjistruar gjithsej 2013 aksidente.

Tek bën thirrje për kujdes, Policia e Kosovës, në një përgjigje për KOHËN ka bërë të ditur se angazhimet e saj për parandalimin e aksidenteve po vazhdojnë.

Njëkohësisht, ka kërkuar kujdes të pjesëmarrësve në trafik.

“Angazhime policore janë në proces për të garantuar rrjedhshmëri të trafikut pa pengesa nëpër rrugët tona dhe parandalim të aksidenteve, përderisa për të gjithë kundërvajtësit në trafik po ndërmerren dhe do të ndërmerren masa ligjore. Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, veçanërisht i drejtuesve të automjeteve është i domosdoshëm për t’i shmangur aksidentet në përgjithësi dhe garantimin e një sigurie më të madhe në trafikun rrugor”, ka thënë Policia e Kosovës në një përgjigje.

Eksperti i Sigurisë në komunikacion, Nol Dedaj, ka numëruar faktorët që ndikojnë në krijimin e kësaj gjendjeje.

“Siguria në komunikacion varet prej 5 faktorëve: është faktori njeri, pastaj është faktori rrugë, faktori automjet, faktori komunikacion në rrugë që është aktual edhe faktori incident. Këta 5 faktorë i kanë edhe elementet e tyre të cilat drejtpërsëdrejti ndikojnë në aksidentin e komunikacionit, por ajo që dua të shprehem është që elementet e këtyre faktorëve zakonisht mund të jenë edhe sezonale, do të thotë, varësisht a është dimër pranverë, vjeshtë edhe verë apo ndoshta janë edhe gjatë tërë vitit”, ka thënë Dedaj.

Ndërsa edhe faktorin e vetëdijesimit të qytetarëve Dedaj e konsideron ndikues.

“Ky është ai faktor komunikacioni rrugor që ne themi se është pjesa e edukimit edhe është ajo pjesa e menaxhimit edhe sigurisht që ndikon këtu faktori njeri, unë shpeshherë e them se ndikon pastaj edhe nervozi, lodhja, pagjumësia e elementet e tjera të cilat seriozisht kemi pasur edhe aksidente me fatalitete sivjet”, ka shtuar ai.

Dedaj e rekomandon hulumtimin e shkaqeve të cilat çuan në këto aksidente.