Një 20-vjeçar është goditur të enjten nga treni, në dalje të Prishtinës.
I. H. ishte duke shkuar në kazermën e FSK-së “Adem Jashari”, për të aplikuar për rekrut, por gjatë rrugës ai është goditur nga treni.
Rreth orës 14:00 një person 20-vjeçar nga rrethina e Skenderajt, është goditur nga treni i linjës Pejë -Fushë Kosovë, përballë kazermës "Adem Jashari", në Prishtinë, raporton KTV.
Sipas dëshmitarëve të cilët nuk kanë dashur të flasin para kamerës, aksidenti ka ndodhur derisa i riu kishte zbritur nga një veturë dhe po tentonte ta kalonte linjën hekurudhore.
Ata kanë thënë se treni në vazhdimësi i kishte rënë borisë për ta paralajmëruar kalimin.
Sipas Policisë, personi është dërguar në QKUK nga njësiti mjekësor i FSK-së, me shenja jete por me lëndime të rënda.
Mjekët kujdestarë në emergjencë kanë konfirmuar se gjendja shëndetësore e të riut është e rëndë.
Mjekët kanë treguar se po presin për të parë nëse është i nevojshëm operimi i të riut.