Kronikë

19 vjet burgim ndaj F.V. për vrasjen që ndodhi në vitin 2021 në Mitrovicë

Gjykata Themelore në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka shqiptuar dënim më burgim prej 19 vjet për të pandehurin me iniciale F.V. për vrasjen që ka ndodhur në korrik të vitit 2021 në Mitrovicë. 

Për vrasje ai është dënuar me 18 vjet, ndërkohë që për armëmbajtje pa leje është dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim. 

Në njoftim thuhet se Gjykata i ka shqiptuar dënim unik prej 19 vjetësh burgim.  

“Me dt.10.07.2021 rreth orës 00:20 min, në Mitrovicë … me dashje ka privuar nga jeta të dëmtuarin D.S., dhe ka tentuar ta privojnë nga jeta të dëmtuarin J.S., si dhe kanë rrezikuar kalimtarët e rastit M.B., në atë mënyrë që si rezultat i një përleshje fizike që kishte ndodh më parë në kafene ... në mes të djemve të J.S., Sh. dhe E.S., dhe të pandehurit F.V., ku më pas i pandehuri F. ... që ishte në shoqërim me A.B., shkojnë tek autolarja ‘U’ që i përket të dëmtuarit J.S. dhe që gjendet te banesat ‘K.L.’ ku aty takohen me të dëmtuarin J.S. dhe D.S., ku në këtë rast i dëmtuari J.S., i drejtohet të pandehurit F.V., me fjalët ‘çka ka ndodhur bre L.’, L. pasi ja kthen me fjalët ‘kurrgjë axha J’, menjëherë e ka nxjerr armën të kalibrit 9x17mm e llojit “Feg” dhe ka filluar të gjuaj në drejtim të J., dhe të ndjerit D., ku dy predha e godasin të ndjerin D., dhe një në regjionin e gjoksit në zemër, dhe një në abdomen ndërkaq i dëmtuari J., goditet me dy predha në abdomen dhe në shuplakën e dorës së majtë ku që të dy rrëzohen në tokë ndërkohë që i ndjeri D.S., nuk arrin të përballoj plagët dhe vdes”, thuhet në dispozitvin e aktgjykimit.  

Gjykata ka njoftuar se të pandehurit i vazhdohet masa e paraburgimit deri kur aktgjykimi të merre formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në aktgjykim.

Kundër këtij aktgjykimi, thuhet se palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizajt.