Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për “shpëlarje të parave”, “blerje, pranim ose fshehje të sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Sipas njoftimit, të pandehurit A.O., A.Q. dhe Sh.R. dyshohet se gjatë vitit 2021, deri më 20 tetor kur ishin arrestuar, kishin poseduar 125 mijë euro, kartëmonedha me ngjyrë, edhe pse e dinin se ato ishin përfituar nëpërmjet aktivitetit kriminal nga kryerës të panjohur të cilët i kishin siguruar mjetet me përdorim të forcës tek institucionet financiare brenda ose jashtë Kosovës.
Gjithashtu dyshohet se të tre, bashkë me F.L., H.L. dhe L.S. ishin përpjekur që paratë t’i këmbenin me para origjinale në shumën prej 30 për qind të shumës së përgjithshme, dhe t’i transferonin tek personat e tretë me qëllim që të pastrohen e të vihen në qarkullim si para të siguruara ligjshëm.
Institucionet financiare zakonisht mbajnë një ngjyrë nëpër aparate për t’i prishur kartëmonedhat në rast se dikush tenton t’i vjedhë ato.
Po ashtu, te dy të pandehurit A.O. dhe L.S. janë gjetur armë pa leje.