Kronikë

10 vjet burgim të pandehurit që ndihmoi në vrasjen e një personi në Gjakovë

Paraburgim

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka dënuar me 10 vjet burgim të pandehurin P.Gj., për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes.

Gjykata ka njoftuar të mërkurën se të pandehurit do t'i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 16 shkurti i 2021-s deri më 31 janar të 2022-s.

Ai akuzohet se më 12 mars të 2019, në fshatin Marmull të Gjakovës, e kishte ndihmuar të akuzuarin A.Gj. që të kryente vrasjen ndaj të ndjerit T.B.

Të akuzuarit dhe i ndjeri kishin pasur një kontest për çështje pronësore.

“Pasi nuk merren vesh mes veti, duke dalë nga oda, i ndjeri T. B., ju kishte drejtuar me fjalët se ‘për këtë punë do të ju lajmëroj në Polici dhe Gjykatë’, dhe kishte hipur në veturën e tij e kishte kthyer në drejtim të Gjakovës me qëllim që të lëvizte për të shkuar në shtëpinë e tij, ashtu që ishte ndalur dhe po priste dhe kishte kërkuar nga i akuzuari P. Gj., që ta largonte veturën e tij, pasi pjesa tjetër e rrugës ishte me baltë dhe ishte një kanal i hapur dhe nuk kishte mundësi të lëvizte veturën e tij. I akuzuari me qëllim që ta pengonte lëvizjen e të ndjerit, nuk e largon veturën e tij të cilës ia kishte hapur derën e shoferit dhe po qëndronte aty, ngase ishte në dijeni se i akuzuari A. po vinte nga shtëpia, pasi që përmes numrit të telefonit 044-...-..., e kishte thirrur këtu të akuzuarin A. duke e njoftuar dhe duke i thënë se ‘jam te shpija e A. N’. Me atë rast e kishte marrë pushkën automatike dhe kur arrin te vendi i ngjarjes fillimisht gjuan në drejtim të automjetit tani të të ndjerit, i cili pasi del nga automjeti për t'u larguar gjuan në drejtim të tij duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse dhe pas kryerjes të vrasjes, i akuzuari P. Gj., me automjetin e tij së bashku me të akuzuarin A. largohen nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.