(Përditësuar 15:10) - Njëri nga grabitësit që ka marrë pjesë në vjedhjen e një argjendarie në Suharekë javën e kaluar, dyshohet se është vrarë të enjten gjatë një operacioni policor në lagjen "Arbëria".
Gjatë operacionit, dyshohet edhe për një polic të plagosur, kanë njoftuar burime të KOHËS. Po ashtu raportohet se janë arrestuar edhe dy të dyshuar. Vëllai i të vrarit, sipas burimeve të KOHËS, është arratisur dhe është në kërkim nga Policia.
Personi që dyshohet se ka mbetur i vrarë është me inicialet D.G.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.
Gjatë bastisjes në "Arbëri", Policia ka konfiskuar armë e gjësende të tjera. Përveç në Prishtinë, Policia është duke kryer bastisje edhe në Fushë-Kosovë.
Policia e Kosovës më herët ka arrestuar dy të dyshuar që lidhen me grabitjen në Suharekë. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit.
Gjatë grabitjes në Suharekë të mërkurën e kaluar, një polic u plagos dhe një tjetër u lëndua.
KOHA ka kontaktuar Policinë dhe është në pritje të përgjigjes.