Kronikë

19-vjeçari nga Kosova theret për vdekje në kufirin Serbi – Kroaci

Një 19-vjeçar nga Kosova nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra nga thika gjatë mbrëmjes së djeshme në pikën kufitare mes Serbisë dhe Kroacisë, më saktësisht në fshatin Batrovc, raporton mediumi serb “Blic”.

19-vjeçari nga Kosova ishte me një shok të tij gjatë kohës kur u sulmuan nga një emigrant, që dyshohet të jetë nga Afganistani.

Shoku i tij arriti të ikte, por 19-vjeçari pësoi lëndime të rënda nga thika dhe nuk u bëri ballë plagëve. I mbijetuari arriti ta identifikonte sulmuesin. 

Policia ka thënë se është duke punuar intensivisht për zbardhjen e vrasjes dhe janë në kërkim të autorit/ëve.

Sulmi ndaj tyre ndodhi rreth 2 minuta larg nga pika kufitare.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka shkruar në Facebook se është njoftuar për gjetjen e një shtetasi të Kosovës pa shenja jete në territorin e Serbisë.

Sipas Ministrisë, rrethanat e rastit ende s'janë sqaruar, derisa ka thënë se s'ka indikacione për një vdekje të shkaktuar nga autoritetet serbe.

“Rrethanat e vdekjes së tij nuk janë sqaruar ende krejtësisht, mirëpo nga informacionet e deritanishme nuk ka indikacion për një vdekje të shkaktuar nga ana e autoriteteve serbe. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka udhëzuar Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi që të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm dhe veprimet e duhura sa i përket riatdhesimit të trupit të pajetë dhe është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e viktimës për t’i ofruar atyre mbështetjen e nevojshme institucionale”, thuhet në reagimin e MPJD-së.