Kronikë

Arrestohet i dyshuari për vrasjen në Klinë

Personi që dyshohet se e ka kryer vrasjen në një kafiteri në Klinë më 7 gusht, është arrestuar të martën.

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se i dyshuari me inicialet T.F., do të ndalohet fillimisht për 48 orë, teksa ndaj tij do të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

“Tush Frroku gjendet në Stacion Policor, ku me urdhër të prokurorit të shtetit do të ndalohet fillimisht për 48 orë dhe brenda afati ligjor ndaj tij do parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.

Ai ka shtuar se nga momenti i vrasjes, personi i dyshuar është shpallur në kërkim, për çka janë bërë dhjetëra bastisje në tërë Kosovën.

Një person është vrarë me armë zjarri në një lokal në Klinë javën e kaluar, teksa i dyshuari ishte në arrati deri më sot.