Bastisje në disa prona janë kryer në Prishtinë dhe rajon të mërkurën në mëngjes, lidhur me Ndërmarrjen Publike Banesore. Mësohet se aksioni është zhvilluar pas një hetimi prej gati dy vjetësh për dyshime për keqpërdorime lidhur me një objekt afaristo-banesor në lagjen “Lakërishtë” në kryeqytet.
Siç ka mësuar KOHA, është vendosur që të ketë kontroll në pronat e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të NPB-së. KOHA ka mësuar se bastisje janë zhvilluar edhe në kompanitë e dyshuara në këtë çështje dhe sipas burimeve rasti do të zhvillohet në procedurë të rregullt.
"Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, janë duke realizuar disa operacione policore, në disa lokacione/rajone të ndryshme. Pas përfundimit të operacioneve, do të bëhen të ditura detajet shtesë rreth këtyre operacioneve policore”, ka thënë për KOHËN, zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.
Aksioni është zhvilluar nga Drejtoria për Krimet Ekonomike në Policinë e Kosovës.
Arbnor Neziri nga kabineti i kryeshefit të NPB-së në një konferencë për media ka thënë se jozyrtarisht kanë mësuar se bëhet fjalë për bastisje te ish-menaxhmenti i ndërmarrjes.
“Mund të ju konfirmojmë që bastisjet te zyrat e NPB-së nuk ka. Mund të ketë edhe siç jam informuar në media tek ish-menaxhmenti i ndërmarrjes”, ka deklaruar Neziri, raporton EkonomiaOnline.
Ai tutje është shprehur se nuk kanë informacione të sakta për numrin e zyrtarëve tek të cilët janë kryer bastisje.
“Nuk kemi informacione të sakta për numrin e zyrtarëve dhe as nuk kemi informacion zyrtar nga policia”, ka thënë Neziri.