Kronikë

Pjesëtari i FSK-së që akuzohet për plagosjen e dy të rinjve në Shtërpcë, del para gjykatës

Pjesëtari i FSK-së, Azem Kurtaj, ka dalë sot para Gjykatës Themelore në Ferizaj për plagosjen e dy fëmijëve të komunitetit serb në fshatin Govushë të Shtërpcës në fillim të këtij viti.

Megjithatë seanca është shtyrë për shkak të dokumenteve.

Kurtaj akuzohet për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm".

Shtyrja e seancës është bërë me kërkesë të palës së dëmtuar me arsyetim se nuk janë përkthyer dokumentet dhe aktakuza në gjuhën serbe. Trupi gjykues i udhëhequr nga Imri Sejda , ka aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar dhe ka shtyrë seancën për një ditë tjetër.

Ndërkaq, Kujtim Kerveshi, avokati mbrojtës i Kurtajt, ka thënë se sipas aktvendimit mbajtja e klientit të tij në paraburgim është e kundërligjshme.

"Mbajtja në paraburgim e Azem Kurtaj është e kundërligjshme sepse pas ushtrimit të aktakuzës, kanë pushuar arsyet për mbajtjen në paraburgim të klientit tonë meqë as me aktakuzë tani i mbrojturi jonë nuk akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë. Tani aktakuza kundër Azem Kurtaj është ngritur për veprat penale ,’shkaktim i rrezikut te përgjithshëm dhe përdorim i armës’", ka thënë Kerveshi.