Ka vazhduar gjykimi ndaj Sylejman Ahmetit, i cili akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë”. Në seancën e sotme është dëgjuar edhe dëshmitari i radhës, i cili ishte me të ndjerin Shaip Krasniqi në ditën e vrasjes. Ai tregoi se si kishte ndodhur ngjarja, derisa tha se nuk kishte informacione për arsyet e mosmarrëveshjes ndërmjet shokëve, që çoi deri në vrasje.
Më shumë se tri orë ka zgjatur seanca e radhës për vrasjen e Shaip Krasniqit nga Komuna e Suharekës, gjatë janarit të 2020-s.
Gjatë të martës para trupit gjykues ka dëshmuar Nderim Aliaj, i cili ishte prezent gjatë gjithë kohës me të ndjerin deri në momentin e vrasjes.
Ai ka treguar se së pari Shaipi me të akuzuarin Sylejman Ahmeti ishin përleshur.
“Pastaj ka hy Sylejman Ahmetaj, dhe i ka fol pronarit të lokalit, ia ka zgjat dorën Shaip Krasniqit dhe më pas ai nuk ja ka dhënë dorën, tani ka filluar përleshja, u çu Shaipi, ka dal te shanku i ka pagu qato pijet çka kemi pas, dhe ka fillu pak me bërtit Shaipi, çka i ka thënë s’më kujtohet, ka bërtit s’po di çka i ka thënë s’po mundem me mbajt mend se u banën dy vjet Një herë e ka sha, tani e kena marr me pronarin e lokalit e kena qit jashtë Shaipin”, ka thënë dëshmitari.
Ai ka përshkruar edhe momentin kur kishte ndodhur vrasja, teksa ka thënë se nuk i di arsyet se pse ka ndodhur kjo.
“Sen nuk na ka thënë e kena qit jashtë lokalit e kena shku deri te vetura e Shaipit, e kena hyp në kerr, unë kam hyp në kerr me ja lëshu udhën, dhe ai ka dal prej veturës apet, e ka marr një dru a nuk e di çka ka marrë, se ka marr diçka edhe ka ngajt kah Syla, tani kam zhdryp prej kerri dhe kam shkuar me ndal, kam arrit deri afër, s’kam mujt me largu, me tërhek sepse në atë moment ka krisur arma dhe jam kthyer kam ik, se jam frikësu”, ka vazhduar ai.
Por, para se të dëgjohej dëshmitari, një debat rreth 30 minutash u bë mes të akuzuarit Sylejman Ahmetaj, avokatit mbrojtës të tij e gjyqtares, për shkak të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit.
Në fund u aprovua edhe propozimi i mbrojtësit që të akuzuarit t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik.
Sipas Prokurorisë në Prizren, Shaip Krasniqi dyshohet se është vrarë nga shoku i tij Sylejman Ahmeti vetëm për një borxh prej 20 eurove, më 26 janar të 2020, në një lokal të fshatit Maqitevë të Suharekës.
Derisa në aktakuzën të cilën e ka siguruar KOHA, Sylejman Ahmeti akuzohet për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje”, për këtë të fundit, i akuzuari ka pranuar fajësinë.