Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhër arrestit ndaj Milan Radoiçiqit. I njëjti ishte i dyshuar se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.
Vendimi të cilin e ka siguruar KOHA është marrë me 23 shkurt të këtij viti, ndërkaq urdhër arresti ishte lëshuar më 14.08.2020.
“Gjykata më datë 19.02.2021 e ka pranuar kërkesën për tërheqjen e urdhërarrestit nga Prokuroria Speciale të datës 19.02.2021 me arsyetimin se duke u bazuar në të dhënat e raportit të Policisë së Kosovës për përfshirjen e të dyshuarit Milan Radoiçiq në kryerjen e veprave tjera penale dhe fakti se që nga koha e lëshimit të urdhërarrestit të parë, nuk ka mundur që i dyshuari të sillet para organeve të drejtësisë, respektivisht në Prokurorinë Speciale, për shkaqe teknike dhe taktike të hetimit më të mirë të veprave penale e që dyshohet se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e tyre”, thuhet në vendim.
Gjykata tutje ka bërë me dije se pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhërarestit ndaj të dyshuarit, ka konstatuar se kërkesa është e arsyetuar mirë dhe e bazuar konform dispozitës së nenit 173 paragrafi 3 të KPPRK-së.
