Kronikë

Vritet një 24 vjeçar në Ferizaj

Foto: Koha / ilustrim

Një 24 vjeçar në Ferizaj dje ka mbetur i vdekur pas plagëve të marra me thikë gjatë një përleshje, ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Rreth orës 20:10, policia ka marrë informatën për një rast të përleshjes mes disa personave ku një person është i lënduar me mjet të ftohtë-thikë. Rasti ka ndodhur në Ferizaj në rrugën 12 Qershori në Ferizaj. Viktima nga disa qytetarë është dërguar në emergjencë ku rreth orës 21:30 minuta, nga mjeku kujdestar, jemi informuar se i njëjti ka ndërruar jetë”, thotë PK, transmeton KOHA.

Tutje thuhet se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, Prokurori dhe ekipi i mjekësisë ligjore.

“Viktima është B.Q. ( m/shtetas i Republikës së Kosovës i moshës 24 vjeçare) është nga rrethi i Ferizajt. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet për obduksion në IML Prishtinë”, thuhet në komunikatë.

Sipas hetimeve fillestare hetuesit policorë kanë mbledhur informata rreth të dyshuarve të mundshëm ku dhe janë bastisur disa lokacione, mirëpo nuk janë gjetur dhe të njëjtit janë në kërkim policor deri në arrestimin e tyre.

“Për zhvillimet tjera do të informoheni më vonë”, thotë PK.