Arbëri

Rahoveci me marrëveshje shëndetësore për furnizim me barna për QMF-në në Opterushë

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë me Visar Sadik Kabashi, nga fshati Opterushë, komuna e Rahovecit me vendbanim në Meyrin- Geneve në Zvicër. I pranishëm gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ishte edhe Jusuf Korenica, drejtori i QKMF-së “Fahredin Hoti” dhe përfaqësues të fshatit Opterushë.

“Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë përkatësisht dhurimin vullnetar, furnizim me barna esenciale për QMF-në në fshatin Opterushë ndërmjet komunës së Rahovecit dhe Visar Kabashit, mërgimtar që jeton dhe vepron në Zvicër”, thuhet në komunikatë.

Kabashi, ka vendosur që vullnetarisht për 4 (katër) vite, QMF-në në Opterushë ta furnizojë me barëra esenciale për qytetarët, transmeton Koha.net.

Komuna e Rahovecit, përkatësisht drejtori i Shëndetësisë dhe mjeku që udhëheq QMF-në në Opterushë të përgatit për çdo muaj listën e barnave esenciale për QMF-në dhe t’ia dorëzojë donatorit me qëllim të furnizimit me barna esenciale. Komuna e Rahovecit merr për obligim të formojë komisionin prej tre anëtarëve për pranim - dorëzimin e materialit nga kompania e përzgjedhur dhe të përgatitë raport me shkrim për drejtorinë e Shëndetësisë, kryetarin e Komunës dhe donatorin.

Palët zotohen se do t`i përmbahen kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi dhe se në rast kontesti eventual apo për paqartësinë në tekstin e kësaj marrëveshjeje, të zgjidhen me anë të bisedimeve, konsultimeve miqësore dhe me mirëkuptim.