Arbëri

Inspektorati vlerëson se vendimi i “Mihail Gramenos” nuk ka bazë ligjore

Inspektorati i Arsimit ka vlerësuar se shkolla “Mihail Grameno” në mënyrë të kundërligjshme ka ndryshuar orarin e nxënësve. Për këtë vendim thonë se janë të njoftuar edhe në shkollë, por theksojnë se e kanë të pamundur për shkak të mbipopullimit me nxënës. E për këto ndryshime disa prindër ka dy javë që nuk janë duke i dërguar fëmijët e tyre në shkollë. Ata të martën protestuan për herë të dytë para objektit të shkollës

Për të dytën herë prindërit e disa prej nxënësve të klasës së pestë në shkollën “Mihail Grameno” në Fushë-Kosovë kanë protestuar të martën para objektit të institucionit.

Ka dy javë që ata nuk janë duke i dërguar fëmijët në shkollë, pasi janë të pakënaqur që klasat e pesta janë zhvendosur në ndërresën e tretë.

Ata vlerësojnë se është i kundërligjshëm vendimi i Këshillit Drejtues të shkollës që klasat e pesta të dalin në orar të nxënësve të klasës së katërt. Majlinda Maloku-Lecaj, prind i një prej nxënësve që u është ndryshuar orari, ka thënë se ky veprim është marrë për interesa të disa individëve.

“Ne jemi të vetëdijshëm që është numri i madh në shkollë, na jemi të vetëdijshëm që shkolla duhet të punojë me tri ndërrime për shkak se nuk ka hapësira të mjaftueshme që mësimi të zhvillohet me dy ndërrime. Mirëpo ndërrimi i orarit është bërë për qëllime të caktuar për interesa të individëve”, ka thënë Maloku-Lecaj. Ajo ka thënë se për këtë veprim do t’i ndjekin hapat ligjorë.

Për situatën e krijuar është i informuar edhe Inspektorati i Arsimit. Në një përgjigje ky institucion ka vlerësuar se vendimi i shkollës nuk ka bazë ligjore.

“Herën e parë më 25.9.2023 Inspektorati i Arsimit ka lëshuar procesverbal me rekomandime lidhur me këtë çështje dhe ka nxjerrë vendim ku prerazi ka konstatuar se nuk ka bazë ligjore për ndryshim të orarit. Megjithatë, kjo nuk është marrë për bazë nga shkolla e as nga DKA në Fushë-Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit.

Ky institucion ka theksuar se do të ndërmarrin masa ndaj menaxhmentit të shkollës.

“Janë marrë parasysh 2 vendime të njëpasnjëshme në kundërshtim me legjislacionin nga kryetari i KDSH-it, andaj do të ndërmerren masa dhe veprime ligjore ndaj atyre që kanë prodhuar këtë situatë me pasoja për nxënësit dhe komunitetin e shkollës”, thuhet tutje në përgjigje.

Zëvendësdrejtori i shkollës, Sadri Emini, ka thënë se është i njoftuar me vendimin, por ka theksuar se e kanë njoftuar Inspektoratin për rotacionin për shkak të mbipopullimit me nxënës.

“Inspektorati e ka kthyer që është e pabazë me ndodhë ajo, mirëpo ne e kemi lanë të hapur para inspektorëve, unë jam deklaruar para inspektorëve se gjysmëvjetorin e dytë do ta shohim si mundësi të bëjmë një rotacion”, ka thënë ai. “Këto ndryshime bëhen në të gjitha shkollat jo vetëm këtu. Ne kemi ardhje të vazhdueshme, katër nxënës për momentin kanë shkuar jashtë, e kanë ardhë 16 të tjerë”, ka deklaruar ai.

Prindërit kanë thënë se janë katër paralele me nga 30 nxënës që nuk janë duke mbajtur procesin mësimor. E menaxhmenti i shkollës ka thënë se janë vetëm dy paralele që janë duke e bojkotuar procesin mësimor.

Në këtë objekt, që ka 20 dhoma mësimi, vijojnë procesin e mësimnxënies mbi 1700 nxënës. Për të reduktuar mbipopullimin në këtë shkollë, drejtori i Arsimit, Fatlum Berisha, ka treguar se ka filluar ndërtimi i një objekti të ri që sipas tij do të përfundojë në shtator të këtij viti.