Nxënësit e klasave të pesta të shkollës fillore “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë, të cilët prej gati dy javësh nuk janë duke e ndjekur mësimin, të martën kanë mbajtur një protestë.
“Nuk na frikësoni me kërcënime”, “Arsimimi një e drejtë për çdo fëmijë”, “Individ mos bëni presion” e “Fëmijët janë e ardhmja e vendit”, janë disa nga parullat që nxënësit kanë mbajtur në duar.
Ata janë duke e kundërshtuar orarin e ri të vendosur nga drejtori i shkollës dhe Këshilli Drejtues.
Prindërit e këtyre nxënësve të revoltuar me vendimin që u mor pa koordinim me ta, pas disa paralajmërimeve i kanë ndaluar fëmijët nga shkolla.
Javën që shkoj drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë-Kosovës, Fatlum Berisha, ka thënë se deri te ndryshimi i orarit për këto kalë në gjysmëvjetorin e dytë, ka ardhur për shkak të rënies së suksesit së klasave të katërta gjatë gjysmëvjetorit të parë. Ai pati premtuar zgjidhje të këtij problemi për këtë javë.
Javën që shkoj kanë protestuar prindërit e këtyre nxnësve duke thënë se nuk gjetën mirëkuptim e gjuhë të përbashkët nga drejtuesit e shkollës, çka i shtyu në bojkot të mësimit.