Në Shalë të Lipjanit sot u mbajt një protestë e banorëve. Ata po e kundërshtojnë punën e një gurëthyesi me pretendimin se po u shkakton dëme të shumëfishta. Nga kompania thanë se e gjithë puna po bëhet bazuar në lejet e pëlqimet që ka marrë nga autoritetet
Banorët e fshatit Shalë të Komunës së Lipjanit kanë protestuar të hënën me kërkesën që të rishikohen lejet për gurëthyesin “Shala SH.P.K”, që operon në zonën malore të fshatit.
Sipas tyre, gurëthyesi po e ndot ambientin e lumin afër punishtes, po shkakton dridhje nga minimet dhe është ngritur afër një pllake përkujtimore.
“250 metra duhet me qenë larg në vijë ajrore ku është e vendosur pllaka. Në vitin ‘99 ka rënë Urani këtu, kurse këta e kanë hapur pas luftës këtu”, tha banori Liman Amerllahu.
“Po na bën dëme, rrugën po na dëmtojnë, ujin po na ndotin dhe kur po bëjnë minime ma kanë dëmtuar shtëpinë, sepse 300 metra nuk e kam më larg shtëpinë”, tha banori Qamil Mejzinolli.
Banorët kanë paralajmëruar protesta edhe para Ministrisë së Mjedisit nëse pëlqimet dhe lejet e këtij gurëthyesi nuk rishqyrtohen.
E pronari i gurëthyesit “Shala SH.P.K.”, Feim Hoxha, tha se e gjithë puna po bëhet në përputhje me lejet e pëlqimet që ka marrë nga autoritetet përkatëse. Tha se leja për operim i është vazhduar më 2021 dhe se i ka të angazhuar 10 banorë të fshatit.
Ministria e Mjedisit e as Komisioni për Miniera e Minerale nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHES lidhur me ankesat e banorëve.