Një numër mbledhjesh të Kuvendit Komunal në Shtime kanë dështuar, në mungesë të kuorumit. Ka dështuar edhe ajo e së enjtes, pasi lëshuan sallën asamblistët opozitarë, shumica nga të cilët janë të PDK-së. Më pas kanë ftuar seancë të jashtëzakonshme për shkarkimin e kryesuesit. Në anën tjetër, kryesuesi i Kuvendit ka thënë se opozita ende nuk është pajtuar me faktin e humbjes në zgjedhjet e fundit lokale
Mbledhja e Kuvendit Komunal në Shtime ka dështuar të enjten, pasi që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), që e bën shumicën së bashku me një asamblist të pavarur dhe një nga Lëvizja për Bashkim, kanë bojkotuar seancën të enjten në shenjë pakënaqësie.
Pas bojkotimit kuvendarët kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme dhe kanë thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme për shkarkimin e kryesuesit Adnan Ademi.
Rrahman Jakupi, kuvendar nga radhët e PDK-së, e ka arsyetuar këtë nismë.
“Kemi thirrur seancë të jashtëzakonshme me arsyetimin se nuk kemi menaxhim të duhur të seancës, kemi shkelje ligjore të papara, pastaj kemi fshehje të dokumenteve zyrtare në raport me dokumentet publike të cilat duhet të prezantohen para anëtarëve të kuvendit, keqpërdorim të detyrës zyrtare, mosfunksionim dhe moskompletim të Komitetit për Politikë e Financa dhe komiteteve të tjera. Kështu që kemi një mori shkeljesh”, ka thënë Jakupi.
E, kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, ka thënë se opozita në çdo seancë po paraqitet me qëllim që të shkaktojë probleme dhe dëme për qytetarët, duke i bllokuar proceset e punës dhe projektet e qytetarëve.
“Jam munduar shpeshherë të bëj zgjidhje dhe i kam stërzgjatur seancat dhe ua kam dhënë hapësirën për të folur nga 2 apo 3 herë vetëm që të bëhet një zgjidhje dhe të ecim bashkërisht përpara”, ka thënë Ademi. Kërkesa e opozitës është reale dhe është normale të kërkojnë shkarkimin e kryesuesit, ata mund ta bëjnë çdoherë një gjë të tillë, por nuk mendoj se problemi është te kryesuesi”.
Sipas Ademit, opozitarët shpeshherë e lëshojnë sallën, me urdhër të shefave partiakë që nuk ndodhen në asamble.
“Të themi të drejtën disa prej opozitarëve kur i takoj ende mendojnë se janë në pushtet. Kjo realisht nuk mund të ndodhë, sepse duhet të pajtohen me humbjen sepse qytetarët vendosin për fitoren dhe humbjen e një subjekti”, ka theksuar ai.
Pas nismës së opozitës, legjislacioni në fuqi obligon kryesuesin e Kuvendit dhe administratën që ta thërrasin mbledhjen e jashtëzakonshme në afat kohor prej tri ditësh.