Arbëri

Mungesa e reshjeve shkakton ngordhjen e një numri të madh peshqish në Kamenicë

Mungesa e reshjeve ka shkaktuar ngordhjen e një numri të madh peshqish në lumin Shtrembër, në qytetin e Kamenicë. Në këtë problem ka hasur fotografi i botës së egër, Arian Mavriqi. Pas njoftimit të tij, në vendin e ngjarjes kanë dalë kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, dhe përfaqësues të shoqatës së peshkatarëve “Mlyshi”, të cilët kanë bërë dislokimin e peshqve në zonat me më shumë ujë

Numër i madh peshqish është gjetur të ngordhur në lumin Shtrembër në qytetin e Kamenicës, për shkak se lumi ka filluar që të thahet pas mungesës së reshjeve të shiut.

Fotografi i botës së egër, Arian Mavriqi, ka hasur në këtë problem gjersa po kryente punën e tij dhe ka lajmëruar menjëherë zyrtarët komunalë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, dhe përfaqësues nga shoqata e peshkatarëve “Mlyshi” në Kamenicë, të cilët kanë filluar dislokimin e peshqve të gjallë në pjesën ku lumi përmbante sasi më të madhe të ujit.

Kadri Rahimaj, kryetar i Komunës së Kamenicës, ka thënë se pas marrjes së informatës, është angazhuar menjëherë për të dalë në vendin e ngjarjes.

“Për shkak të mungesës se ujit që qarkullon në këtë lumë, një sasi e konsiderueshme e peshqve kanë ngordhur. Për ne është një situatë jo e mirë, një situatë që nuk kishim dashur të ndodhte, që të dëmtohet peshku i cili kultivohet dhe rritet në këtë lumë. Me ndihmën e shoqatës së peshkatarëve ‘Mlyshi’ jemi munduar që ta bartin peshkun aktual në një pjesë ku ka më shumë ujë”, ka deklaruar Rahimaj.

Ndërkaq, Fisnik Kastrati, nga shoqata e peshkatarëve “Mlyshi”, e ka vlerësuar si problematik mungesën e të reshurave. Ai ka bërë të ditur se për pasojë, peshqit nuk kanë mundur të zhvendosen në pjesën e lumit ku ka më shumë ujë, duke i çuar drejt ngordhjes.

Lumi Shtrembër është ushqyes për shumë shpendë shtegtarë dhe joshtegtarë, nga lejleku i zi, ai i bardhi, çapka e hirtë, mbreti peshkatar, mëllenja e ujit dhe shumë të tjera.