Arbëri

Aktivitet simbolik me biçikleta në Prizren për vetëdijesim mbi kancerin

Dita botërore e luftës kundër kancerit të premten është shënuar me një aktivitet simbolik në Prizren.

Çiklistët kanë bërë një xhiro nëpër unazën kryesore të qytetit, me thirrjen për ndërgjegjësim lidhur me sëmundjen.

Organizatorët nga OJQ “Marakli t’bicikllave” dhe shoqata e grave në luftë kundër kancerit të gjirit “Renesansa” kanë pohuar se kjo ditë shënohet me qëllim që të parandalohen vdekjet nga kanceri, duke e rritur vetëdijesimin dhe duke edukuar vendimmarrësit e popullatën për veprime kundër sëmundjes.

“Kanceri është një sëmundje që me të vërtetë po e atakon popullatën, do të thotë në mënyra të ndryshme me e zgjua vetëdijen e njerëzve që të mbyllet hendeku i kancerit të gjirit”, ka thënë Violeta Pirana nga “Renesansa”.

“Ky aktivitet është Dita botërore e kancerit, do të thotë me këtë aktivitet ne si çiklistë kemi me bë një sensibilizim të qytetarëve për të përkrahur të prekurit nga kanceri”, ka thënë Dijar Emini nga “Marakli t’ibicklave”.

Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, i cili ka adresuar thirrje që secili individ të kontribuojë në këtë drejtim.

“Unë i ftoj gjithë qytetarët, të cilët në njërën apo tjetrën formë kanë mundësi që të mbështesin secilën nismë e cila ka për qëllim vetëdijesimin e popullatës, edhe në këtë rast për kancerin, dhe në të njëjtën kohë të ndihmohet sadopak parandalimi i këtyre sëmundjeve, pasi që dihet nëse zbulohen në faza të hershme natyrisht janë edhe të shërueshme”, ka deklaruar Gashi.

Dita botërore e luftës kundër kancerit, sipas organizatorëve të aktivitetit të së premtes, do të shënohet për çdo vit.