Arbëri

Banorët e fshatit Stankaj nuk pranojnë t’u merret uji nga burimi i tyre

Përfaqësuesit e fshatit Stankaj të Rugovës po e kundërshtojnë një projekt të Komunës së Pejës për furnizimin me ujë të fshatrave Bogë dhe Shkrel të Rugovës.

Ata kanë protestuar para objektit të Komunës së Pejës, pasi kanë rinisur punimet e ndërprera vitin e kaluar në ndërtimin e ujësjellësit.

Përfaqësuesi i fshatit, Ukë Lulaj, ka thënë se ata po kërkojnë që nga ky burim së pari të furnizohet fshati Stankaj e pastaj të tjerët.

“Na ujë nuk kemi mjaftueshëm. Ne i kemi thënë edhe kryetarit dhe punëkryesit, që furnizona krejt katundin, të ka gjithë katundi ujë, atëherë tepricën le ta marrin e le ta çojnë ku të donë. Nuk jemi na kundër mos me lanë me dalë, por ma së pari mu furnizua fshati Stankaj, atëherë për me vazhdu tjetërkund”, thotë Lulaj.

Banorët e Stankajve thanë se Komuna kishte nisur projektin pa dijeninë e tyre dhe madje, sipas tyre, qëllimi i vetëm i projektit është furnizimi me ujë i vilave në fshatin Shkrel të pushtetarëve të Pejës.

Kanë kërkuar që të takohen me kryetarin, Gazmend Muhaxheri, por ai nuk i ka pranuar.

Kanë thënë se nëse injorohen nga pushteti, do ta ndalin dhunshëm realizmin e atij projekti.

Për këtë protestën dhe projektin e ujësjellësit, Muhaxheri nuk ka pranuar të deklarohet as për KOHËN.

Punimet në këtë projekt në vlerë prej 244 mijë eurosh kishin nisur vjeshtën e vitit 2019, por ato ishin ndërprerë vitin e kaluar pasi banorët e Stankajve ishin ankuar në Ministrinë e Mjedisit dhe në Drejtorinë e parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Drejtori i parkut, “Bjeshkët e Nemuna” , Fatmir Morina, ka konfirmuar se pasi Komuna nuk ka leje ujore as pëlqim mjedisor, e Ministria e Mjedisit nuk ka kthyer përgjigjeje.

“Nuk kanë leje, jo. Na ja kemi ndalë, dy procese i kanë. Është rasti edhe në Prokurori”, tha Morina.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për KOHËN se kjo lëndë fillimisht është trajtuar nga Departamenti i Përgjithshëm dhe javëve të fundit lënda ka kaluar dhe është duke u hetuar nga Departamenti i Krimeve të Rënda në këtë prokurori.

Image