Arbëri

Lipjan, banorët kundërshtojnë vendosjen e ashensorit jashtë objektit të ish-“Ferronikelit”

Banorët e një objekti në Lipjan po ankohen se një biznes i cili kishte privatizuar ish-ndërtesën e “Ferronikelit” ka nisur të vendosë një ashensor përgjatë dhomave të tyre të gjumit pa pëlqimin e tyre. Ata po kërkojnë nga organet kompetente me urgjencë t’i ndërpresin punimet dhe të hetohet procedura e dhënies së pëlqimit.

Banorët e kompleksit të ish ndërtesës së “Ferronikelit” në sheshin “Adem Jashari” në Lipjan po kundërshtojnë vendosjen e një ashensori të jashtëm.

Ata kanë bërë një peticion kundër vendosjes së tij që po e bën biznesi “Vëllezërit e bashkuar”, i cili vite më parë e kishte privatizuar këtë objekt.

Sipas banorëve, vendosja e ashensorit përgjatë dhomave të gjumit pa pëlqimin e tyre është e kundërligjshme.

“Shqetësimi jonë më i madh është vendosja e liftit në muret e ndërtesës tonë për interesa të privatizuesit. Nuk është vendos për banorë, por është vendosur për interesa të tij në muret e ndërtesës sonë”, ka thënë banorja Igballe Aliu.

Aliu ka thënë se rreth kësaj çështjeje me kohë është ankuar në Komunë, por edhe në Policinë e Kosovës, por deri më tash askush nuk ka marrë masa.

“Shqetësimi është sepse është vendosur në muret e dhomave të fjetjes. Sikur të ishte vendosur në një hapësirë të objektit të tij edhe ne nuk do të ishim kundër. E ka marrë pëlqimin nga Komuna nga Drejtoria e Urbanizmit, i nënshkruar nga një person absolut nuk është banor i hyrjes sonë dhe nuk është përfaqësues i yni”, ka thënë tutje ajo.

Përfaqësuesi i këtij biznesi, Banush Fazliu, nëpërmjet telefonit ka thënë se ka ndjekur rrugët ligjore për ta marrë pëlqimin nga Komuna.

Ndërkaq Emina Rexhiq, drejtoreshë për Urbanizëm në Komunën e Lipjanit, ka thënë se duke u bazuar në dokumentacionin e kompletuar nga ky biznes i është lëshuar pëlqimi për vendosjen e shkallëve dhe ashensorit të karakterit montues në funksion të objektit ekzistues administrativ.

Banorët e këtij objekti kanë kërkuar nga Prokuroria ta hetojnë me urgjencë këtë rast.