Qytetarja serbe Dragica Gashiq pretendon se i është thyer banesa e saj në Gjakovë. Gashiq në fillim të qershorit është bërë serbja e parë që është kthyer në Gjakovë.
Gashiq ka thënë për Radio Evropën e Lirë se banesa e saj është thyer dhe plaçkitur, mirëpo një gjë të tillë nuk e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Gjakovë, Nusret Xhurkaj, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë vetëm se Gashiq është kthyer në banesë të martën nga Klina, ku ka vizituar motrën e saj.
“E shoqëruar nga policia, ajo ka arritur në banesë dhe një roje e policisë është vendosur para ndërtesës së saj”, tha Xhurkaj, për të shtuar se, deri më tani, nuk ka asnjë informacion se banesa e saj është thyer dhe plaçkitur.
Megjithatë, Gashiq tha se e ka raportuar rastin në polici.
Sipas saj, në banesë mungojnë sendet e saj personale, ushqimi, kamera e sigurisë dhe pajisja e internetit.
Gjëja më e vështirë, sipas saj, është se dera e përparme nuk mund të mbyllet tani dhe se ajo nuk e di se si do ta kalojë natën në këto kushte.
“Nuk mund të riparohet assesi”, tha Gashiq.
Në fund të qershorit, Gashiq ka bërë përpjekje ta ndryshojë derën e jashtme të banesës dhe ta zëvendësojë atë me një të blinduar, por policia nuk e ka lejuar ta bëjë këtë, me arysetimin se duhet të marrë leje komunale për diçka e tillë.
Në fillim të korrikut, Komuna e Gjakovës ka ngritur padi kundër Gashiqit në Gjykatën Themelore në Gjakovë, duke kërkuar që ajo “të anulojë kontratën për marrjen me qira të banesës”.
Gashiq tha për Radion Evropa e Lirë se nuk e ka ndërmend të largohet nga banesa e saj në Gjakovë.
Në lidhje me plaçkitjen e pretenduar të banesës së saj reagoi edhe e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
“Padyshim, ata që e ndaluan Dragicën të vendosë derën e blinduar, donin ta shënjestronin atë për të disatën herë dhe kërcënimet e tyre u realizuan”, thuhet në reagimin.
E njëjta thekson se për këtë incident do të njoftohen Brukseli dhe misionet ndërkombëtare në Kosovë./REL