Arbëri

Gjendje e rëndë nga vërshimet në Gjakovë, autoritetet presin përkeqësim të mëtejmë

Udhëheqësi i njësitit të emergjencave në Gjakovë, Besim Meqa, ka thënë se sa i përket gjendjes pas vërshimeve ditën e djeshme e që kanë vazhduar edhe sot, është e rëndë.

Ai thotë se si në zona urbane ashtu edhe në ato rurale, janë bllokuar rrugë, janë vërshuar rrugë e bodrume të shtëpive.

“Si pasojë e reshjeve, sidomos gjatë ditës së djeshme, në Gjakovë është në gjendje të rëndë emergjente por shkak të reshjeve të dendura. Situata emergjente në komunë është mjaft e përkeqësuar sepse është atakuar edhe pjesa urbane, edhe rurale nga vërshimet. Për pasojë kemi vërshime të rrugëve, të bodrumeve të shtëpive, në pjesë rurale kemi bllokim të qarkullimit në disa segmenteve, nëpër rrugë të fshatrave. Çdo gjë është e prekur nga vërshimet”, ka thënë Meqa në lidhje direkte në KTV. 

Meqa nuk mohon mundësinë që gjendja me vërshimet të përkeqësohet tutje për shkak të paralajmërimit të IHK-së se reshje priten edhe gjatë vikendit, mirëpo, shton ai, situata tash është e menaxhueshme.

“Sipas të dhënave të Instituti Hidrometeorologjik ka parametra që do ketë reshje edhe gjatë vikendit. Kështu që gjatë këtij vikendi dhe në fillim të javës ka mundësi të përkeqësohet gjendja më tej. Situata përkundër reshjeve të mëdha, është e menaxhueshme”, tha ai.

Meqa ka thënë se sot nuk ka pasur dalje të lumenjve nga shtretërit e tyre në këtë komunë, por se në çdo moment pritet edhe kjo.

“Krahasuar me natën e Vitit të Ri kur kemi pasë dalje të lumenjve nga shtrati i tyre, sot ato nuk kanë dalë, por tendencat janë se kanë në kuota kritike dhe në çdo moment pritet të dalin jashtë shtratin të tyre. Problemet janë më shumë të natyrës infrastrukturore. Rrezikim të jetës së njerëzve nuk ka, dëmtim të gjësendeve amvisërisë e të tjera ka. Nuk kemi raste të evakuimit të njerëzve deri tash”, përfundoi ai.