Arbëri

Dështon plani i Komunës së Pejës për zgjerimin e rrugës, pas kundërshtimeve të banorëve

Kolonat e gjata të automjeteve janë të zakonshme në rrugët kryesore të Pejës.

Në veçanti në rrugën prej rrethrrotullimit afër Stacionit të Policisë, deri te udhëkryqi që ndan rrugën për në qendër të qytetit dhe rrugën e spitalit.

“Që shumë vite komuna nuk është marrë me problemin e komunikacionit në qytet. E kjo është shumë shqetësuese. Komuna në asnjë mënyrë nuk ka provuar të hapë rrugë të reja të cilat kishin me lehtësua komunikacionin”, tha Bashkim Nurboja, zyrtar i LVV-së në Pejë.

Për ta lehtësuar qarkullimin në këtë rrugë Komuna paralajmëroi një projekt për zgjerimin e kësaj rruge edhe për një shirit rrugor, por projekti nuk u realizua derisa kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, tregon arsyet.

“Ka pas problem se projekti nuk ka qenë i ekzekutueshëm. Domethënë ka pas disa mangësi në zgjerim. Edhe banorët e lagjes kanë qenë të shqetësuar dhe e kanë bërë një peticion që mos me u bë kjo punë në këtë vit”, tha Muhaxheri.

Shqetësimet e banorëve që kundërshtuan projektin ishin siguria dhe pamundësia që të kishin qasje të lehta në shtëpitë e bizneset e tyra.

Deri tash, ndër dekada, para e pas luftës, siç thotë Studenica, familja e tij dhe të tjerat në këtë rrugë tri herë janë detyruar t’ia shesin Komunës pronat e tyre për zgjerimin e kësaj rruge, e cila prej një sokaku që ishte dikur tash është me tri krosi.

Kjo situatë, sipas të parit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka shtyrë Komunën që bashkë me inxhinierët e komunikacionit të shqyrtojnë mundësitë e riorganizimit të komunikacionit në disa rrugë tjera të qytetit, për ta shkarkuar rrugën kryesore nga trafiku i dendur.