Këtë javë ekipi i emisionit “Jeta” i Kohavisionit, ka udhëtuar drejt fshatit Kusar të Gjakovës.
Ndryshe nga herë të tjera kur janë sjellë nga afër shpellat e njohura të Kusarit, të cilat vizitohen nga shumë turistë, përmes këtij edicioni vjen një mrekulli tjetër e natyrës së fshatit, siç e quajnë banorët.
Fjala është për “Vaskat e Currelit” një burim i pashtershëm uji, rrjedha e të cilit sipas banorëve, nuk dihet prej nga vjen.
Në verë e në dimër, ky atraksion turistik është tejet i frekuentuar nga vet banorët.
Agim Idrizi, bjeshkatar nga Gjakova, i cili ka arritur t’i vizitojë thuajse të gjitha bjeshkët e trojeve shqiptare, e eksploroi edhe këtë bukuri në fshatin Kusar.
Si dashamirës i natyrës dhe bjeshkëve, Idrizi ka përmendur rëndësinë e ruajtjes së tyre, pasi që siç ka thënë ai, po ndodh krejt e kundërta.
“Vaskat e Currelit” ku buron lumi Currel, për banorët e Kusarit, mbetet ndër vendet më të bukura ku i kalojnë shpesh edhe vikendet.