JETA

Rrëfimi i Emira Selimit që e hapi bibliotekën për shqiptarët e Manastirit

Qyteti i alfabetit shqip ishte destinacion i radhës i ekipit të emisionit “Jeta” të KTV-së. Atje u hap biblioteka shqipe në Manastir, e cila do t’u shërbejë shqiptarëve të këtij qyteti.

Kjo bibliotekë që mban emrin “Linkest”, u jetësua në 115-vjetorin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Ishte iniciativë e studentes shqiptare nga Shkupi, Emira Selimi, e cila nismën e mori qysh para 1 viti.

Sfida e vështirësi të shumta ka rrëfyer të ketë pasur deri në realizimin e ëndrrës së saj për Manastirin, siç e quan vetë Emira.

Ato vërehen edhe te ndryshimi i lokacionit të bibliotekës, tash të vendosur shumë pranë Pallatit të Kulturës në këtë qytet, derisa ishte paraparë të hapej në objektin e Muzeut të Alfabetit shqip.

Mysafirë të shumtë shqiptarë nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria iu drejtuan për vizitë bibliotekës së hapur nga Emira.

Brenda saj tashmë janë vendosur një pjesë e madhe titujsh të librave, donacion nga të gjitha trevat shqiptare.

Studentja Emira Selimi për emisionin “Jeta” mes lotësh u shpreh e entuziazmuar për hapjen e bibliotekës, por theksoi edhe peripecitë e vazhdueshme në të cilat kishte hasur rrugës, porse e lumturon fakti se nga librat e kësaj biblioteke do të shërbehen shqiptarët e qytetit të Manastirit në Maqedoninë e Veriut.