Ekipi i emisionit “Jeta” këtë javë ka udhëtuar drejt Maqedonisë, më saktë drejt fshatit Negotinë.
Negotina e Pollogut gjendet në perëndim të Maqedonisë.
Është fshat shqiptar në Komunën e Vrapçishtit, i cili i lidh vendbanimet prej qytetit të Tetovës në drejtim të Gostivarit.
Për të vështruar peizazhin unik duhet ngjitur pikat e larta të fshatit, aty ku edhe ka hapësira rekreative për vizitorë.
Në po këtë lartësi ndodhet edhe njëri prej restoranteve tradicionale si për nga mënyra e ndërtimit ashtu edhe për nga ushqimet, të gjitha të përgatitura nga gastronomi Enver Fidani, i cili në vendlindje u kthye pas 30 vjetësh pune në Itali.
Fshati Negotinë për shqiptarët e Kosovës ishte adresë strehimi në periudhën e luftës së vitit 1999.
Mijëra familje nga Kosova ishin strehuar nga familjet shqiptare në Maqedoni në shtëpitë e banorëve të Negotinës.
Mustafë Ebibi, ish-kryetar i Shtabit të Krizës së Refugjatëve, kujton kohën kur në familje kishte pranuar familjen gjashtanëtarëshe nga Kosova.
“Familja që ia kishim hapur dyer dhe i kishim pranuar në shtëpinë time nuk dëshironin të ndaheshin prej familjes sime, pasi që fëmijët e tyre ishin rritur me fëmijët e mi, kanë ndarë gjithçka bashkë”, ka thënë Ebibi.
Në Negotinë ka shtëpi të vjetra, të cilat kryefamiljarët e tyre i kanë ruajtur me qëllim për ta mbajtur gjallë kujtimin për familjet kosovare që kanë jetuar me ta gjatë luftës në Kosovës.
Pos historisë dhe lidhjes emocionale që ka ky fshat i Maqedonisë me Kosovën, Negotina njihet edhe për atraksione të veçanta, të cilat janë tejet të vizituara nga vendësit e edhe nga vizitorë të rrethinës.