JETA

Miniera e Liqeni Artificial, atraksionet kryesore të Herticës

Ekipi i emisionit “Jeta” edicionin e kësaj jave e ka realizuar në fshatin Herticë të Komunës së Podujevës.

Fshati Herticë zë një sipërfaqe të madhe në Komunën e Podujevës dhe ndodhet afër vijës kufitare Kosovë – Serbi.

Ndalesa e ekipit ishte të njëra nga lagjet e Herticës, aty ku banorët e njohin si lagjja e parë e fshatit.

Për shkak të pasurisë me minierën që dikur ishte funksionale si dhe Liqenit Artificial, Hertica konsiderohet si fshat turistik, i cili tërheq vizitorë.

Banori Naser Bajgora, i cili punë primare e ka blegtorinë, i kujton tregimet e mëhershme për Minierën e Herticës.

“Kjo minierë daton shumë herët. Në periudha të ndryshme kanë punu anglezët, të cilët edhe kanë qenë informuesit e parë për këtë pjesë. Këtu kanë operuar tri ndërrime dhe në kuadër të kësaj miniere ka qenë edhe infrastruktura e saj përcjellëse, pasi që ka qenë një perspektivë e madhe e kësaj pjese me mbi 300 punëtorë”, ka thënë Bajgora.

Në hyrje të lagjes, ekipi ka takuar edhe një tjetër banor, i cili thotë se prej shumë vitesh punon si automekanik.

Prej kësaj pune, Ukshin Bajgora i siguron edhe të ardhurat familjare.

Ai nuk mendon asnjëherë të zhvendoset nga fshati, por problem kyç që vendësve atje thotë se ia pamundëson jetesën është mungesa e transportit.

“Brenga më e madhe e jona janë fëmija, sepse transport nuk kemi. Janë duke na prek në pikë të dobët, te fëmijë, se nëse nuk mund t’i shkollojmë ne fëmijët, ne veç duhet me u shpërngul prej këtu, me i lënë me investime me shtëpi e krejt çka kemi”, ka thënë banori.

Hertica e Komunës së Podujevës, ndryshe nga vite më parë ka mbetur me pak banorë.

Por vendësit rezidentë nuk duan të shpërngulen nga fshati i lindjes, porse për këtë gjë, ata kërkojnë kushtet esenciale për jetesë.