Duhet të kalosh disa fshatrat të Hasit për të shkuar në Gorozhup, fshatin që e ndajnë vetëm bjeshkët me Shqipërinë. Ky fshat ishte destinacion i parë i realizuar nga ekipi i emisionit “JETA” për sezonin e ri.
Dikur fshatin e popullonin rreth 300 familje, ndërsa sot kanë mbetur krejt pak familje rezidente në Gorozhup.
Shumica prej familjeve në këtë fshat, njihen për veprimtarinë prej furrtarësh.
Traditën si bukëpjekës e ushtrojnë në shtete të Evropës, atje ku edhe jeton një pjesë e tyre.
Karakteristikë e veçantë e këtij fshati është “Kroi i Lotit”, emërtimi i të cilit flet për periudhën e shqiptarëve nën regjimin jugosllav e atë të komunizmit.
Ky krua ishte vendtakim midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës.
Por nën të dyja regjimet për të dyja palët ishte e pamundur të komunikohej lirshëm, rrëfente Ramadan Totaj, banor i Gorozhupit.
Ishte komunikimi i koduar gjatë mbushjes së ujit nga kroi, ku shpesh të dyja palët këndonin edhe këngë për të transmetuar mesazhe.
Në rrëfimin e banorëve përmendet edhe zbulimi i kësaj forme komunikimi, teksa kishte nisur shoqërimi nga ushtarë.
Totaj nga Gorozhupi kujton njërën nga historitë që i ati i tij ua kishte përcjellë familjarëve lidhur me dhuratën e përcjellë fshehurazi nga Shqipëria përmes “Kroit të Lotit”.
Për banorët e Gorozhupit të Hasit, ky krua është shndërruar në një atraksion turistik.