Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
JETA

Fshati i djegur i Mitrovicës që u rindërtua pas luftës

Rahova është fshati i Mitrovicës, i cili me natyrën e mrekullueshme i frymëzon çdo ditë banorët që i japin jetë vendlindjes së tyre.

Është fshat malor dhe ndodhet pak kilometra në periferi të qytetit mitrovicas.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ky vendbanim ishte destinacioni i radhës që u vizitua nga ekipi i emisionit “JETA” në Kohavision.

Me të hyrë në Rahovë ekipi ka takuar vendës, të cilët merren me blegtori si veprimtari e rëndësishme për ta në fshat.

Sipas vendësve në Rahovë jetonin afër 400 banorë, ndërkaq aktualisht ky fshat numëron rreth 200 banorë rezident.

Ruzhdi Peci, njëri nga banorët e Rahovës, tregon se fshatin e lindjes nuk e ka lëshuar asnjëherë.

Ky fshat për të është tejet i veçantë, pasi ai bashkë me mbi 60 banorë kishin dhënë kontribut edhe për Minierën e Trepcqës.

Peci thekson se fshatin Rahovë ishte djegur plotësisht në periudhën e luftës. Si vendës ishin detyruar që ta braktisnin fshatin për t’u kthyer sërish në të pas përfundimit të luftës.

“Momenti më i vështirë për mua në të gjithë jetën time ishte ai kur të gjithë banorët përnjëherë ia kthyem shpinën fshatit në luftë. Por nuk e harroj edhe momentin më të lumtur, atë kur u kthyem të gjithë pasi Serbia kapitulloi”, thotë Ruzhdi Peci.

Banorët vendës thonë se tokat e fshatit të tyre ishin tejet të pëlleshme e prodhonin çka do që ata mbillnin në to.

Produktive i bënte ujitja e tyre me ujin që rridhte nga bjeshka e Majdanit, siç e quajnë rahovasit.