JETA

Biblioteka shqipe, shpresë për shqiptarët në Manastir

Është studente nga qyteti i Shkupit. Me nismën e saj synon ta shpëtojë shqipen nga asimilimi në Manastirin e alfabetit shqip. Emira Selimi është 23-vjeçare. E vetme, ajo po përballon sfida për ta hapur bibliotekën shqipe në këtë qytet. Nga Prishtina nga Grupi KOHA janë dërguar 300 libra donacion.

“E kam pritur një valë të donatorëve, por jo kaq shumë që të mos mundem 24 orë të mos kem as kohë t’u përgjigjem. E kam thënë dhe e përsëris, mbështetja më e madhe dhe më e veçanta ka qenë nga shqiptarët e Kosovës”, ka thënë ajo në një deklaratë për emisionin “JETA” në KTV.

Në emisionin “JETA”, Selimi ka rrëfyer me entuziazëm jetësimin e ëndrrës së saj.

Ajo ka rrëfyer edhe për sfidat e shqiptarëve atje. Në statistikat e regjistrimit të popullsisë, ajo ka thënë se shqiptarë ishin 5%, derisa prej tyre vetëm 2% janë shqiptarët që kanë mbiemrat e shqipëruar. Sipas saj, kjo është vetëm njëra nga propagandat e shumta që maqedonasit bëjnë për t’i asimiluar shqiptarët në Manastir.

Sipas të rinjve të Manastirit, nisma e studentes do të jetë kthesë për pasurimin e shqipes në këtë qytet, pasi që në mungesë të librave e shkollave shqipe, është e dukshme vështirësia e tyre edhe në të folur.

Ndërtesa e Muzeut të alfabetit të gjuhës shqipe është jetike për shqiptarët.

“Vetëm kjo na identifikon këtu në Manastir”, shpreheshin banorët shqiptarë prapa kamerës, nga frika për të folur hapur për jetesën e tyre atje.