Rogova e Hasit të Gjakovës tashmë do të ketë për kryetare fshati një vajzë, 19-vjeçarja studente e Shkencave Kompjuterike. Ekipi i emisionit “Jeta” e ka vizituar Filloreta Hotin, të renë, e cila thotë se ka synime të qarta për ndryshimet që do t’i bëjë në fshatin e saj.
Rogova është fshat në Komunën e Gjakovës. Ky vendbanim bën pjesë në mesin e fshatrave më të mëdha të Kosovës.
Shtrihet në anën e Hasit dhe ndodhet rreth 15 kilometra në periferi të Gjakovës.
Filloreta si 19-vjeçare e zgjedhur nga rogovasit për kryetare fshati, thotë së në fillim u paragjykua.
“Shumë prej tyre thoshin se a jam e denjë unë si vajzë për ta udhëhequr fshatin”, shprehet ajo.
Porse ishin të rinjtë e tjerë të Rogovës, të cilët po e ndihmojnë Filloretën në udhëheqje me iniciativa të ndryshme.
19-vjeçarja rogovase është kryetarja e parë femër e Rogovës së Hasit, fshat, i cili sipas saj në statistikat e fundit ka numëruar afro 10 mijë banorë.