"Për neve, ai ka qenë sensacion. Domethënë, Sheki si personalitet", thotë muzicienti dhe bas kitaristi Labinot Krasniqi.
"Me fol për Shekin dhe historinë e tij, kërkon shumë kohë, mirëpo, në pika të shkurta qysh ka ndiku te ne fillimisht, muzikantët e rinj, Sheki ka qenë më i vjetër, mirëpo, jo që ka qenë më i vjetër, po, vec krijimtaria e tij në grupet të cilat ai i ka pasë dhe në të cilat ka qenë në ish-Jugosllavi, ka qenë për neve megalomane, ka qenë shumë e madhe", deklaron muzicienti dhe bateristi Besim Gashi – Babuka.
"Ai ka një nënshkrim muzikor, autorial, që është më e rëndëishmja. Që njerëzit të mund ta njohin e të thonë – shiko, ky është Sheki", thotë muzicienti Sinan Alimanoviq.
Pavarësisht arritjeve të larta, Shefqet Hoxha – Sheki ngulmon ta nisë rrëfimin kronologjik prej rrënjëve të suksesit.
"Familja ma bleu kitarën dhe ëndrra ime atëherë u realizua krejtësisht. Erdhëm këtu në Ferizaj në librari te axha Anton, e mora kitarën, edhe prej atij momenti e kjo këndej, quhet histori", thotë muzicienti Sheki.
Mirëpo, Sheki nisi hapërimin e madh prej skenave të vogla të qytetit të Ferizajt, që themelimin ia ka borxh stacionin hekurudhor që tash e ndan në dysh.
Në Shtëpinë e Armatës iu dha mundësia të performonte para një audience më të madhe.
"Dhe një moment ishte interesant kur unë me Luigj Dedën – një mikrofon e kishim, dhe unë isha këngëtar dhe bas kitarist atëherë, kurse Luigj Deda, meqë na mungonte mikrofoni i dytë, ai afrohej për ta kënduar zërin e dytë. U afrua njëherë, gati se u bashkuam me buzë, në fakt me faqe, i bashkuam faqet, dhe unë e preka mikrofonin, dhe na zuri rryma. Ai në njërën anë, unë në tjetrën", thotë ai.
Rinia ferizajase, sikur edhe e qyteteve të tjera, krijoi grupe të ndryshme muzikore në vitet shtatëdhjetë.
"Kurrë nuk është vështirë me u dallu prej tjerëve, vetëm nëse ke individualitet atë veçorinë që e ke në brendi. Dhe, pikërisht nga këtu, te ky druri – shoqëria ime mblidhej shtatë-tetë vetë në çdo mbrëmje në korzo – dhe bisedonim për rock ‘n’ rrolin, për kënd tjetër?" - shprehet Sheki.
Shkollën e mesme të muzikës e vazhdoi në Prizren. U kthye në Ferizaj si mësimdhënës, por e vogël po i dukej edhe Kosova për ëndrrat e tij të mëdha.
"Pas shkollës së mesme muzikore, Shefqet Hoxha erdhi në Sarajevë, u rejgistrua këtu në Akademinë e Muzikës. Ai asokohe ishte kitarist, roker..." - tregon muzicienti Alimanoviq.
"Filluan të dinin për mua dhe thoshin se ka ardhur një shqiptar në Sarajevë, dhe po e shfrytëzon shumë mirë melosin shqiptar. Në “Rezonanca” i banja një vit e gjysmë, dy. Në ’77-ën pastaj fillova me grupin heavy metal, të mirënjohurin ‘Divlje Jagode” në Tërpen", thotë Shefqet Hoxha - Sheki.
Sheki do ta pranonte ofertën e muzikantit të njohur, Miliq Vukashin, që të bëhej pjesë e grupit “Puthja e zjarrtë”.
"Të gjitha këto pllaka, i kam fituar, më kanë shpërblyer me grupin ‘”Vatreni Poljubac”. Me grupin “Vatreni Poljubac”... Grupi “Vatreni Poljubac” kam qenë... Grupi ka qenë më i popullarizuari, më i më i famshmi. Tirazhi i platinit, i arit, i argjendit dhe i bronzit. E këto katra kanë mbetur gjallë, krejt rastësisht i kam gjetur në shtëpi tek pasluftës (së Kosovës, v.j.)", deklaron Sheki.
"Ajo që është interesante me Puthjen e Zjarrtë, ai ishte aso bendi, ata e e kapën një lloj zbrazëtire në ish Jugosllavi, një zbrazëtirë kohore, kur e themeluan atë bend, dhe ky ishte rock and roll bendi më i popullarizuar që i biente rock të vërtetë hard metal", thotë muzicienti Alimanoviq.
Ftesa e detyrueshme për shërbimin ushtarak do ta shkëpuste Shekin nga muzika. Kur u kthye, grupi refuzoi ta largonte basistin zëvendësues.
Sheki krijoi grupin e tij, “Carski Rez”.
"E kisha idenë dhe i bëra këngët gati për ta formuar grupin tim , ku unë do të jem udhëheqësi, ku unë do të jem lideri. E bëra bendin dhe bendin e quajta “Carski Rez”, që i bie prerja cezariane në lindje. Në ’84-ën, atëherë, e ndërrova formacionin dhe e ndërrova mendjen zhandri se nuk ishte më hard rock, stili hard rock, zhanri hard rock por vendosa ta bëj pak funky soul, dhe e formova grupin tjetër “Detektor Llazhi”", deklaron Sheki.
Më 1985 u kthye në Kosovë, duke themeluar pastaj shkollën e kitarës në Prishtinë e Prizren. U bë pjesë e orkestrës së ish-Radio Televizionit të Prishtinës.
"Na e kemi njohur Shekin prej revistave, sepse atëherë nuk ka pasur internet. Burim informate ka qenë intervista, zakonisht mujore që tregonte për ngjarjet e rock n’’ rollit në Jugosllavi në atë kohë. Dhe shekin e kemi njohur si një djalë që jeton në Sarajevë, dhe që ëhstë anëtar i një bendi super të njohur. Thjesht, kjo e ka bërë atë të paprakeshëm për ne. Dhe në momentin kur ka ardhur me jetu në Kosovë, ne jemi mahnit dhe të gjithë jemi shtyrë cili me shku me i folë më përpara Shekit. Sheki ka ardhur me një ekspericën enorme në rock ‘n’ roll, eksperiencë të cilën ne vetëm kemi mundur ta ëndërronim", tregon muzicienti Labinot Krasniqi.
"Ai ka qenë në grupet më të njohura të ish-Jugosllavisë se ish-Jugosllavia në atë kohë, skenën e rock ‘n’ rollit e ka pasur në me siguri në nivelin... Në Ballkan, dihet që ka qenë më e forta, më e suksesshmja, por dihet se niveli ka qenë evropian dhe botëror", thotë muzicienti, bateristi Besim Gashi – Babuka.
Sheki mori udhë drejt një tjetër shteti të ish-bllokut komunist. Në Bullgari u bë pjesë e rëndësishme e skenës muzikore, duke themeluar grupin “Sheki International Band”. Ai vazhdon ta ndajë kohën mes Kosovës e Bullgarisë.
Në Prishtinë u kthye më 2003 për t’u bërë pjesë e Big Bandit të Radio Televizionit të Kosovës.
Tani po vazhdon punën në dy vendet. Njëherë në Prishtinë ka themeluar bendin “Sheki and friends”.
"Arsyeja ka qenë, sepse krejt grupet e ish-Jugosllavisë kanë incizuar në Londër dhe kanë tingëlluar si krejt grupet tjera të botës, kanë ekzekutuar gati njëjtë, duke marrë parasysh se Sheki ka qenë krejt pjesë e saj, kur ka ardhur këtu te ne, së pari ka qenë ndihmë shumë e madhe. Edhe e mira e Shekit që njihet është dashuria e tij, është kozmopolitizmi i tij. Njeri, muzikant, rocker, i cili si ka ardhur, krejt neve që kemi qenë në skenë, ka filluar të na ndihmonte maksimalisht", tregon Babuka.
"Në kohën kur ka shkuar në Sarajevë, ka shkuar dhe ka shpërthyer, sepse Ferizaj nuk i ka mjaftuar, Kosova s’i ka mjaftuar, s’ka ndodhur kurrgjë. Ka shkuar atje, u kthye në Kosovë, e ka bërë të veten. Na ka ndihmuar neve, ka qenë anëtar i orkestrës së Radio Televizionit të Kosovës (të Prishtinës, v.j), ka qenë producent i rock bendeve kosovare në atë kohë. Na krejt kemi përfituar prej tij dhe atë e ka bërë. Ka shkuar në Bullgari, disa vite ka jetuar atje. Domethënë, tërë kohën është në lëvizje. Ai ka bend këtu,. Ka bend në Sarajevë, ka bend në Bullgari, dhe është njeri që është tërë kohën aktiv. Dhe, kudo që shkon, rrezaton prania e tij", tregon muzicienti Krasniqi.
"Ai ka shumë veti të mira, njëra është karakteri. E dyta ishte se ai ka ditur ti animojë bendet të cilat i udhëhiqte, dhe të gjithë i besonin. Ai gjithmonë ka punuar ashtu si ai ka dashur. Andaj dhe mënyra si e ka parë ai muzikën ka qenë ndryshe prej të gjithë të tjerëve, dhe kjo është ajo që në një mënyrë e dallon Shekin si një muzicient të madh", thotë muzicienti Alimanoviq.