Bukuritë madhështore rrethojnë turistët në këmbët e maleve të Sharrit. Pleq e të rinj ua kanë kthyer shpinën qendrave urbane për t’u freskuar në ditët e fundit të verës poshtë majave të Lubotenit, që çajnë qiellin.
Dikush ka ardhur për arsye shëndetësore, e dikush sa për të kaluar me familje një fundjavë në shpatinat e Prevallës.
Edhe pse të rrallë janë ata që mbajnë maska, pandemia e koronavirusit është ndër arsyet kryesore pse në vend të detit sivjet mësynë malet.
“Sivjet nuk kam shkuar në pushim veror, arsyeja është e pandemisë, sepse numri i rasteve u rrite në rajon, duke përfshirë edhe Kosovën. E pash të arsyen të mos rrezikojë as veten, as të tjerët e as familjarët. Mora vendim që këtë vit të mos shkojë në bregdet shqiptar apo ndonjë vend për pushime “ , Irfan Rexhepi mësimdhënës i anglishtes
Rreth 800 mijë kosovarë kanë vizituar sivjet Shqipërinë. Shqipëria nuk u kërkon kosovarëve testin për koronavirus, megjithatë gjatë periudhës së vjetme mes janarit dhe gushtit, rreth 1.8 milionë turistë kishin hyrë në Shqipëri nga Kosova.
“Për momentin jo pasi ky COVIDI na ka bllokuar shumë gjëra dhe sidomos familja, prindërit, nuk kanë vendosur të shkojnë gjithkund”, ka thënë Emira Zeka, eksperte e turizmit.
Njohësit e turizmit thonë se Kosovës nuk i mungojnë bukuritë natyrore, por se mungon dora e shtetit. Pandeminë e shohin si një mundësi që institucionet të reflektojnë për përmirësimin e kushteve në zonat turistike të Sharrit e të Rugovës.
Eksperti i turizmit Zekë Çeku thotë se viteve të fundit është shënuar trend pozitiv i ngritjes së numrit të turistëve.
“Në tri apo katër vitet e fundit, vitin e kaluar edhe ne edhe kolegët tanë që merren me ardhjen e grupeve turistike, kemi pasur një ngritje mjaft pozitive. Madje kemi pasur edhe rezervime kontraktume për 2020 me një ngritje rreth 20 për qind krahasuar me vitin e kaluar. I kemi pasur kontraktume për këtë vit”.
Por edhe pas heqjes së disa kufizimeve, pasiguria e krijuar shkaku i rritjes së numrit të infektuarve, ka ndikuar që shumë shtete ta fusin Kosovën në listë të zezë dhe të kërkojnë nga qytetarët e tyre që t’i shmangin vizitat në Kosovë. Kosova deri më tash ka regjistruar mbi 600 raste me vdekje nga COVID-19.
“Për shkak të pandemisë, grupin e parë e kemi pasur me 11 prill, e dini se me 15 mars ka filluar, në botë edhe më herët, fillimisht na është hequr ende pa u rritur, fillimisht janë hequr rezervimet për prill, maj, pastaj thonin kur nxehet, e patën lënë rezervë. U pa se klima nuk po ndikon. Me rritjen e numrit, me shpërthimin e pandemisë, të fundit kanë anuluar udhëtimin e grupit të japonezëve që e kanë pasur”, ka thënë Çeku.
Të moshuarit në Prevallë thonë se në rezortin turistik të rrethinës së Prizrenit e kanë më të lehtë të ruajnë distancën. Mjekët u kanë rekomanduar për shkaqe shëndetësore të qëndrojnë në ajrin e freskët të fshatit turistik.
Ish-polici, Rexhep Bashota ka thënë: “pandemia që është, në det dhe tubime është me e rëndë, në Prevallë nuk mund ta marrësh. Ne kemi shumë njerëz që shkojnë në Elbasan, kur po vinë po e kanë virusin pastaj po e shpërndajnë”.
Mendim të ngjashëm ka edhe bashkëshortja e tij, Shyhrete Bashota, ka thënë se të gjithë që kanë probleme duhet ta vizitojnë Prevallën në mënyrë që të mos kenë nevojë për trajtim mjekësor.
“Unë i them komunës që ta rregullojnë rrugën”, ka thënë ajo.
Nata në hotele e bujtina sillet nga 25-50 euro. Gastronomia është sektori që gjeneron më së shumti të hyra, ndërkaq pronarët e hoteleve e bujtinave thonë se kanë ulur çmimet për 30 për qind.
Pronari i hotelit “Yjet e Sharrit”, Ismet Beqiri ka thënë se janë ulur vizitat e pushuesve.
Sipas tij, verës nuk ka pasur as 20 për qind të vizitorëve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Afrim Hoxha, pronar i rezortit “Ujëvara” ka thënë se “Kemi shpresuar që lëmia jonë do të hapet pasi fillonte një kohë verore, dhe sipas parashikimeve se nuk do të ketë raste shumë me COVID, por ndodhi e kundërta”.