Shtetet e vogla rrallëherë e rrokin vëmendjen e madhe të botës. Mediat e huaja raportojnë për vende si Kosova më shumë kur ka kriza politike.
Historitë e suksesit kolektiv janë të vogla. Por janë sukseset individuale, që kthejnë sytë e të huajve kah Kosova pas shpalljes së pavarësisë.
Stefan van Dijk shpesh është adresa e parë për gazetarët, diplomatët e sipërmarrësit evropianë para se të marrin udhë drejt Kosovës. Ai është angazhuar vullnetarisht për promovimin e vlerave të Kosovës. Gjithçka kishte nisur në vitin 2004 kur kishte shkelur për herë të parë në Kosovën e lirë që po mundohej të shëronte plagët e luftës.
“Pra, udhëtimi im i parë në Kosovë nisi më 2004 kur unë erdha këtu me një grup të njerëzve vendas, kur ne ndihmuan një organizatë joqeveritare në Gjakovë, që shtrihet në veriperëndim të Kosovës, dhe ajo OJQ po i ndihmonte fëmijët dhe gratë, baballarët, apa burrat e të cilëve ishin vrarë në luftë. Dhe më kujtohet se në ditën e dytë të vizitës time në Kosovë, dëgjova shumë rrëfime lufte e dëshmi lufte, por edhe për efektet e saj, sepse ende kishte shumë njerëz që nuk ishin të sigurt nëse ishin krejtësisht të lirë nga regjimi serbe, sepse ata, ta zëmë, protestonin gjatë kohës së regjimit dhe Kosova ende nuk ishte e pavarur. Kështu që, ata u druanin zhvillimeve”, ka thënë Stefan van Dijk, specialist i komunikimeve.
Ai do t’ua dëshmonte holandezëve dhimbjet e familjarëve që ende nuk dinin asgjë për fatin e më të dashurve të tyre të pagjetur. Por, pos rrëfimet të dhimbjes, gazetari i ri me vete do të merrte edhe kujtimet e mikpritjes dhe dashamirësisë për të huajt..
“Dhe kishte diçka brenda meje në ditën e dytë të atij udhëtimi, si: Mbase kjo është diçka me të cilën mund të bëj diçka, dhe lexova diçka në ditarin tim - sepse unë shkruaj çdo ditë diçka në ditarin tim çfarë kisha bërë atë ditë – dhe shkrova se mbase mund t’i kushtoj më shumë vëmendje Kosovës ose t’i ndihmoj njerëzit këtu që të nxisin më shumë vëmendje të mediave që të flasin më shumë për Kosovën., të flisja me njerëzit në Holandë. Kështu që, atëherë, tashmë isha përqendruar në atë nëse kishte një lidhje ndërmjet meje dhe Kosovës”, është shprehur ai.
Dhe pas disa vizitave ndër vite, më 2012, bashkë me bashkëshorten do të ktheheshin në Prishtinë. Kësaj here, për të nisur një jetë të re në Republikën më të re.
“Mendoj se gjithnjë përdorur të kaluarën time si gazetar dhe specialist komunikimi, gazetarie, marketingu që të nxis vëmendjen kah Kosova, kah anët pozitive, kah zhvillimet e këtushme për atmosferën popullore dhe të këndshme këtu, por edhe për zhvillimet e mira që po ndodhnin këtu, për energjinë rinore të këtij vendi, të krijonim ide të freskëta për Kosovën. Njëherësh, mundohesha të shihja zhvillimet në vendet më të mëdha, si Shqipëria, Maqedonia, pra në krejt vendet ku jetojnë shqiptarët, të shihnim se si ishte mendësia shqiptare, se si janë vende të ndryshme, por njëherësh janë si një familje e madhe, nëse mund të them”, ka thënë Van Dijk.
Ka disa arsye pse çifti i ri, që ka tre fëmijë, zgjodhi Kosovën e jo ndonjë vend tjetër të rajonit. Bukuritë natyrore dhe ushqimi janë vetëm disa prej tyre.
“Është gjithnjë e mrekullueshme, dua të them, ana e mirë e të jetuarit dhe të punuarit këtu është se nuk keni pse të udhëtoni larg që të shkonin në pushime, dhe gjithnjë ka shumë gjëra që i keni afër, madje edhe jashtë Kosovës, në Shqipëri, Maqedoni Veriore, janë vende të mrekullueshme, si Mali i Zi, Bosnja, Kroacia, disa pjesë të Serbisë gjithashtu, e që janë të mrekullueshme për t’i vizituar. Dhe kjo është fatbardhësi, sidomos plazhet. Pranvera dhe vera janë shumë më të gjata këtu se në Evropën Veriore. Dhe, ne shpesh jemi në plazh në kohën kur në Holandë moti është paksa me shi, ose ftohtë. Ne për disa orë mund të shkojmë me makinë në plazh me pak para, dhe po, kjo është fatbardhësi e madhe”, ka thënë ai.
Gjatë postimit të shkrimeve, fotografive dhe xhirimeve, Van Dijk shpalos trashëgiminë e pasur kulturore të Kosovës. Sidomos trashëgiminë fetare në Kosovë me objekte shumëshekullore të besimeve të ndryshme.
“Mendoj se mund të themi se kam parë shumicën e qyteteve në Kosovë, le të themi edhe qytetet , edhe shumë fshatra, megjithëse afërmendsh se ka edhe shumë vende që ende nuk i kam vizituar. Por, për mua, së paku për mua, është me rëndësi që të krijoj një pasqyrë të krejtësishme dhe t’i kuptoj dallimet ndërmjet fshatrave, ndërmjet qyteteve, qyteteve tjera dhe kryeqytetit”, ka thënë ai.
Sporti është një aspekt tjetër i rëndësishëm që zë hapësirë të madhe në fushatat e tij. Pas medaljes së artë të Majlinda Kelmendit në Rio më 2016, Van Dijk është marrë vazhdimisht me ecurinë e Kosovës në futboll. Nuk ka lënë lojë të Kosovës si nikoqire pa e shikuar nga tribunat.
“Ishte shumë e rëndësishme që u pranuam në FIFA dhe UEFA, sepse për shumë vende, futbolli, le të themi, është mjeti kryesor i marketingut. Kur isha djalosh, dëgjoja për vende si San Marino, që është vendi i vogël, por dija diçka për të, sepse Holanda duhej të ndeshej me të në kualifikime – megjithëse ne fitonim me 6 apo 7 me 0 kundër tyre – por ne dinim se ishte një vend i vogël, mbase i panjohur, por së paku e dinim se ekzistonte”, është shprehur ai. “Kështu që prej se Kosova po luan futboll në nivel të lartë kundër vendeve tjera, kam vërejtur shumë vëmendje mediash, që është e përqendruar vetëm në futbollin e Kosovës. Kështu që, kryetitujt në mediat ndërkombëtare, për Kosovën kur kishim 15 ndeshje me radhë pa humbje, mediat ndërkombëtare po flisnin për Kosovën pa përdorur fjalën luftë, ose varfri, ose çfarëdo tjetër. Dhe kjo ishte e përsosur”.
I vjen keq pse vendi i “Evropianëve të rinj” vazhdon të jetë i izoluar nga Bashkimi Evropian që slogan ka shprehjen “Të bashkuar në diversitet”, por kosovarëve nuk ua heq vizat.
“Mungesa e liberalizimit të vizave është problem, absolutisht dhe problem i padrejtë për Kosovën. Pavarësisht prej të gjitha arsyeve politike pse gjendja është kështu, së paku është e rëndësishme të vazhdojmë të tregojmë rrëfimet tona se pse është kaq e rëndësishme. Ka shumë njerëz në Perëndim, viteve të fundit sidomos, shumë djathtistë, njerëz të së djathtës ekstreme, frikësohen prej gjithçkaje të huaj. Ne duhet t’ua shpjegojmë atyre: Shiko, ka shumë këtu që tashmë po bëjnë biznes me vende, si Franca, Gjermania e Holanda, se nganjëherë duhet të udhëtohet. Kemi studentë që duhet të udhëtojnë jashtë vendit, njerëz që kanë familjet në Zvicër dhe duan të shkojnë për Krishtlindje. Kështu që, ne duhet ta tregojmë këtë rrëfim dhe, sikur se thatë, është shumë e vështirë për njerëzit. Ne kemi parë shumë njerëz të talentuar këtu që duan të shkojnë në një konferencë jashtë vendit, por nuk mund të shkojnë. Sidomos për ato mundësi ekonomike, është turp që nuk kemi liberalizimin e vizave”, ka thënë Van Dijk.
Megjithatë, është fryma e mikpritjes dhe energjia rinore në Kosovë që e mban të lidhur me Prishtinën.
Shqipen e flet goxha rrjedhshëm, por ngulmon që intervista të zhvillohet në gjuhë angleze, sepse, sikur thotë ai, kështu shpreh qartësisht përshtypjet e tij. Kjo fotografi në profilin e tij në “Facebook” është dëshmi e përpjekjeve të vazhdueshme për ta përsosur shqipen.