Dikur ambient të vetëm për ta zhvilluar punën e tyre e kishin shtëpinë, ndërsa mëngjeset tani i nisin në punëtorinë që e kanë hapur.
Fjoralba e Ermira Kurti, janë motrat që e nuhatën suksesin te biznesi të cilin e gëzojnë prej vitit 2015, për gatimin e muffinsave dhe ëmbëlsirave të llojllojshme.
Për tre vjet me radhë, veprimtarinë e tyre e zhvilluan vetëm online, teksa në ditët me pandemi, ato ndërmorën një hap të rëndësishëm me hapjen e dyqanit.
“’Prishtina Homemade Muffins’ ka nis me funksionu që nga viti 2015-të, vetëm me muffina fillimisht dhe kam pauzu prej tre vjetësh me insistimin e prindërve të mi pasi që në atë kohë sapo kisha filluar universitetin. Pas tre vjetësh në përfundim të studimeve, Ermira motra ime, ka qenë ajo që më ka shty me u rikthy përsëri”, ka thënë Fjoralba.
Të krijohej besimi tek klientët ishte sfidë në vete siç thekson Fjoralba Kurti, duke qenë se atyre u shërbenin vetëm online.
“Duke e marrë parasysh vështirësinë e funksionimit vetëm online, ne e patëm hap Instagramin, por ndihmesë e madhe ishin edhe shoqëria, rrethi, të cilët na kanë ndihmu me shpërndarje që të përhapet më shpejt biznesi ynë. E dyta, ndihmesë ka qenë edhe faza kur kemi filluar me biznesin, në një kohë festive kur të gjithë njerëzit janë të mbushur me ngrohtësi, pra festa e Vitit të Ri, pastaj ajo e Krishtlindjeve, ku njerëzit mundohen që të blejën sa më shumë dhurata, t’ua jap atyre në shenjë falënderimi që gjatë vitit i kanë qëndru pranë”, ka thënë ajo.
E nisën me muffins, por e vazhduan me ëmbëlsira të ndryshme. Gjithsesi, lokalit ia vendosën emrin “Prishtina Homemade Muffins” për të mos e harruar produktin e parë me të cilin nisën biznesin.
“Falë këtyre festave, ne e kemi pas mundësinë e ekspozimit të profukteve tona, sepse siç thashë ka qenë e vështirë që dikush t’i besoj porosisë online sidomos një produkti të tillë ushqimor. Në momentin që klientët i kanë provu, ka qenë shija ajo që i ka bërë për vete dhe prej atëherë kanë vazhdu me qenë klienta tanë”, është shprehur ajo.
Finalizimin e çdo produkti që Fjoralba e Ermira e përgatisin, e dërgojnë tek dyqani për shitje.
“Siç e patë në punëtori, atje përfundohen të gjitha produktet, ndërsa ky është këndi që ne i ekspozojmë e që janë edhe për konsumim ditor, por edhe për porosi online”, ka thënë Emira.
Sipas Ermirës një biznes i këtij lloji është mjaft profitabil, madje ajo inkurajon edhe të rinjtë e tjerë.
“Për të gjithë të rinjtë dhe të rejat që dëshirojnë me e pas një biznes të llojit të tillë i kisha këshillu që me fillu. Është biznes mjaft profitabil, mund të sigurojnë të ardhurat e tyre, mund ta sigurojnë pagën e tyre dhe mund të jenë shefa vet”, ka thënë ajo.
Në Graçanicë, krejt afër Prishtinës, jetojnë çifti Vorguçiq. Isaku është një ish murg që i është kthyer jetës jashtë kishes nga dashuria për Zoricën. Ai sot është gazetar, drejtor i Radio Televizionit KIM të Çagllavicës, ku punon edhe bashkëshortja e tij. Por, ata janë edhe pronarë të një birrarie familjare, që e nisën para katër vitesh si hobi, e që sot u është shndërruar në një biznes në rritje.
“E gjithë ideja lindi në bisedë mes meje dhe bashkëshortes diku në vitin 2016, kur unë nisa si hobi të merrem me prodhimin shtëpiak të birrës, dhe menduam që këtë ta zgjerojmë, si të them, të prodhojmë sasi pak më të madhe që do të mund të shkonte në shitje. Sepse miqtë të cilëve ua dhamë ta provojnë birrën, atyre u pëlqeu, dhe neve na pëlqeu shumë, një birrë të tillë nuk kemi pasur rast ta provojmë këtu, dhe më pas menduam që kjo do të ishte në rregull që t’i ofrohet tregut”, ka thënë Isak Vorguçiq.
“Ja, erdhëm edhe ne në idenë që të formojmë një birrari këtu, në Kosovë, kjo është diçka më ndryshe, më ndryshe prej birrës industriale me të cilën jemi mësuar, është shumë më kualitative, më e shijshme, në këtë birrë ndihet shija e mjaltit, elbit, pra është e gjitha natyrore, nuk ka kurrfarë aromash artificiale, pra të gjitha shijet fitohen nga mjalti i elbit, tharmi dhe uji”, ka thënë Zorica Vorguçiq.
Kur kanë nisur nuk kishin pasur asnjë njohuri për prodhimin e birrës artizanale. Ishin vetëm adhurues të kësaj pije dhe kështu vendosën të nisin prodhimin, për kënaqësinë personale dhe të miqve. Edhe emrin birrës së tyre, Pivxhan, ia vunë me synimin për të shprehur dashurinë për prodhimin.
“Shumë e ndërlidhin këtë me, si të them, një farë turqizmi. Pivxhan, xhanum, e dini që kjo do të thotë shpirt në turqishte, e edhe tingëllon disi bukur, si të thuash birrë për shpirt. Por, në veri të Kosovës, popullata e atjeshme, posaçërisht në Leposaviq, kështu në zhargon popullor thonë ‘ma jep një pivxhan’ apo disa pivxhana, kështu edhe neve na erdhi kjo ide. Kemi dashur të jetë ndryshe, të jetë disi simpatike, për këtë rajonin tonë”, ka thënë Zorica.
Duke parë që birra e tyre pëlqehej, vendosën që të investojnë në birrarinë artizanale, dhe tani kanë një kapacitet prodhimi prej 2000 litrash në muaj, ndërsa prodhojnë tri lloje birrash. Materialin bazë kryesisht e importojnë nga Belgjika dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tani i kanë të qarta edhe preferencat e adhuruesve të birrës artizanale në Kosovë.
“Prej kur kemi nisur, më shumë se nëntë loje birrash kemi prodhuar, por tregu ka treguar se tri lloje janë më të kërkuarat. Kështu që tani prodhojmë pilsnerin artizanal, birrën e kuqe (amber ale) dhe india pale apo IPA”, ka thënë Isaku.
Tregu tani është zgjeruar përtej Graçanicës. Megjithatë, pengesat ende ekzistojnë. Isaku përmend ato që e pamundësojnë shitjen e birrës në Serbi.
“Tregun e kemi kryesisht në Graçanicë, Prishtinë dhe Kosovë, disa vende në Kosovë janë po ashtu. Kemi provuar në dy raste të shkojmë në Serbi, por kjo ka ecur vështirë për shkak të barrierave që Dogana serbe i vendos për prodhimet nga Kosova... kështu që kemi hequr dorë. Nëse ndryshojnë këto rregullativa, pasi tani diçka është dakorduar në Washington, a do të zbatohet diçka prej kësaj, që të pranohen certifikatat që lëshohen në Kosovë për analizën e mallit, në atë rast do të tentonim sërish me eksport”, ka thënë ai.
Çifti Vorguçiq kanë plane për të rritur biznesin edhe më tutje. Janë në bisedime për të lidhur kontratë me një zinxhir marketesh në Kosovë, ashtu që kjo birrë të jetë në të gjithë vendin, por edhe jashtë.
“Planet janë që të zhvillohemi edhe tutje, në plan e kemi dhe në negociata jemi me një zinxhir marketesh këtu në Kosovë, një depërtim i mëtutjeshëm në tregun e Kosovës. Siç e tha bashkëshorti im, birra jonë pihet në Prishtinë, këtu në Graçanicë, në Mitrovicën Veriore, në Prizren, por do të donim që kjo punë të zgjerohet edhe më tutje... dhe që kjo birrë të shndërrohet në brend kosovar”, ka thënë Zorica.
Megjithatë, thelbi mbetet i njëjtë. Të prodhohet një birrë artizanale, e pastër dhe pa shtesa kimike. Një që, siç e thotë emri i birrarisë së tyre, është për shpirt. Andaj, dhe nuk ju duket punë aspak e rëndë.
“Po, nëse diçka dashuroni, atëherë nuk është e zorshme, atëherë përpiqeni që atë ta bëni në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne dy jemi adhurues të birrës, të dytë, dhe e investojmë gjithë energjinë tonë dhe dashurinë që kemi në prodhimin e kësaj birre, dhe në recetat, dhe është treguar se kjo birrë është e mirë dhe kualitative, njerëzit që e kanë provuar na kanë thënë” ka thënë ajo.