Po të kishim pasur stabilitet ekonomik; po të kishim pasur idenë se si të zhvillohemi duke punuar dhe prodhuar, pa pasur nevojë për importin e gjërave bazike që mundemi, po deshëm, t’i prodhojmë; po të kishim qenë më punëtorë sesa themi se jemi; dhe, po të na kishin gënjyer më pak krejt politikanët tanë, mbase sot do ta kalonim ditën me shi me energjinë që ta jep një ditë me diell
Kjo javë do të karakterizohej më së miri me thënien: “cungun më të madh ruaje për Shëngjergj”. Shëngjergji është qaty pas kthese, e temperatura jep ndjesinë e 4 shkallëve të Celsiusit. “Cungu” ynë, Termokosi, e mbylli sezonin në fillim të javës, ndërkohë që lirshëm ka mundur ta vazhdonte edhe një javë, pra të na qeraste në përmbylljen e një dimri që vetëm dimër qe dhe në hapjen e një pranvere që veç pranverë nuk është.
Më kujtohet shefi im i parë në zyrën e UNHCR-së në Prishtinë, kur para 30 vjetësh përpiqesha t’ia shpjegoja motin në Prishtinë: sa më e nxehtë vera, aq më i ftohtë do të bëhej dimri vijues. Qeshte duke mos besuar asaj që i thosha nga përvoja e të jetuarit në Prishtinë bajagi disa vjet. “Teoria” ime, dhe e gjithë brezit tim që merrej me meteorologji si çdo amator tjetër bashkë me mua, do të dëshmohej e saktë në tre vjetët sa kishte qëndruar ai në Kosovë.
Vera përcëlluese e 1993-s u pasua me një dimër super ngrirës me temperatura minus 20 gradë Celsius. Tash ishte radha ime të qeshja me prognozën e saktë.
Nga ajo kohë kanë kaluar shumë vjet, dhe tash edhe po të isha profesioniste e meteorologjisë zor se do të dija t’ia qëlloja motit. Është më se evidente se kemi pësuar ndryshim klimatik, të cilin shumë të huaj, në veçanti, e mohonin si edhe njërën nga teoritë e konspiracionit të nuk e di kujt, për ta arritur kushedi çfarë qëllimi të fshehtë. Si person që nuk beson në teori të konspiracionit të nivelit kozmik, nuk kam tjetër pos të konstatoj atë që e shoh dhe ndiej: klima më nuk është ajo e fëmijërisë sime, e besa as e kohës së studimeve. Klima ka ndryshuar – pra nuk po di a për të mirë a për të keq, përderisa do të mund të sigurojmë ujë të pijes dhe mbjella që do të mund t’i korrim pa pasur nevojë që për gjithçka t’i qasemi importit.
* * *
Dhe nuk është rastësi që për të dytën javë me radhë po e përmend motin dhe ndryshimin klimatik. Kjo po ndikon shumë edhe në organizimin e punës, e po ndikon edhe në disponimin personal, e besoj, të secilit prej nesh.
Siç e përmenda më lart, nuk po e di se sa shumë ndikon ky ndryshim në bujqësi. Dhe jo që ne i plotësojmë nevojat tona me pemë e perime, drithë a misër, por do të më interesonte të kuptoja se cili do të ishte kapaciteti i prodhimit i Kosovës, po qe se do të krijohej një plan i zhvillimit të bujqësisë në Kosovë, që do të siguronte edhe vende pune e edhe treg për produktet e vendit, për të na liruar nga importi tepër i kushtueshëm.
Unë ende nuk e kuptoj se përse na duhet të importojmë domate dhe speca nga Turqia. Nuk e kuptoj se përse domatet e Maqedonisë janë më të shijshme se tonat; nuk e kuptoj se përse 400 gramë dredhëza të prodhuara në serrë kushtojnë 2-3 euro, e aq më pak e kuptoj se përse do t’i binte ndërmend kujtdo që të importonte qershia për t’i shitur ato këtu me çmim prej 15 eurosh kilogrami.
Krejt këto që i përshkrova më lart do ta kuptoja në një vend si Emiratet e Bashkuara Arabe, që pos që është shkretëtirë, ka shumë para që burimin e kanë te nafta, akoma, e pashtershme. Por në Kosovën e përjetimeve, nuk e di a gjenden të tillë që e fitojnë rrogën ndershëm që do t’i këmbenin 15 litra qumësht me 1 kilogram qershi...
Sidoqoftë, mungesa e një programi të qëndrueshëm e vizionar të zhvillimit ekonomik që nga fundi i luftës e këtej, na ka sjellë në situatën e një disbalance të madhe tregtare me botën. Për shembull në mars 2024, Kosova ka importuar mall në vlerë prej 520 milionë eurosh, kurse kishte eksportuar mall në vlerë prej 80 milionë eurosh. Pra përpjesa në favor të parave të gatshme që na ikin përtej kufirit është 6 me 1. Dikush do të thoshte jemi shumë të pasur. E në esencë jemi të varfër, në rend të parë për mend.
Interesante është të shihet zbërthimi i mallrave që u importuan në mars: ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; produktet minerale; mjetet e transportit; metalet bazë dhe artikujt prej tyre; makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike; kafshë të gjalla dhe produkte me origjinë kafshe; produktet e industrisë kimike; plastikë gomë dhe artikuj prej tyre, etj.
Në këtë zbërthim mungon çimentoja dhe tullat (ngase armatura përfshihet te metalet bazë dhe derivatet e tyre) për të na treguar se sa milionë na shkojnë për t’i blerë këto produkte që kemi mundur t’i prodhonim vetë qe sa e sa vjet. Edhe për shkak të kësaj, kostoja e ndërtimit në Kosovë është mjaft e lartë. Për të mos thënë se çmimet e banesave për metër katror janë bërë të paprekshme, me gjithë faktin se një numër i madh i banesave në Prishtinë rrinë bosh.
* * *
Dikur kemi pasur fabrikë të gomës në Suharekë dhe një të plastikës në Rahovec; e kemi pasur Trepçën dhe industrinë kimike; duhan kemi pasur në Gjakovë e Gjilan dhe kemi pasur fabrikë cigaresh po në Gjilan; fabrika të tekstilit i kemi pasur një mori, gjithandej nëpër Kosovë dhe ushqim të përgatitur e konservuar na i përgatisnin kombinatet bujqësore industriale (KBI), që kanë qenë disa në Kosovë.
Shumicën e këtyre më nuk e kemi, dhe kjo tregon defektin më të madh të procesit të privatizimit, i cili është zhvilluar asisoj që t’i pasurojë ata që u kanë ndenjur afër atyre që i kanë pasur informatat për çmimet e ofertuara. Me privatizim janë pasuruar njerëz të afërt me pushtetet dhe me privatizim është shkatërruar bërthama e bujqësisë dhe industrisë nga e kaluara, duke mos u riaktivizuar ato aktivitete ekonomike.
Shumë nga të huajt pas luftës në thoshin se nuk duhen ndërtuar fabrika të mëdha dhe se duheshin forcuar ndërmarrjet e mesme dhe të vogla. Se kinse fabrikat e mëdha janë anakronike. Mbase edhe janë, porse e shoh se në rajon bëjnë gara për reparte prodhimi të prodhuesve të mëdhenj evropianë, që në fakt janë fabrika që krijojnë me mijëra vende pune. Veç mundem ta paramendoj se sa mirë do të ishte ta kishim ne një fabrikë prodhimin e pjesëve të veturave, sipas licencave, dhe ku do të investohej nga jashtë.
Sikur ka ndodhur në Serbi ku që nga viti 2001, në industrinë motorike kanë investuar mbi 60 investitorë të jashtëm; i kanë futur mbi 2 miliardë euro investime dhe kanë krijuar rreth 30 mijë vende pune. Më 2014-n Serbia ka i prodhuar 100 mijë njësi FIAT 500L dhe i ka eksportuar. Po, është e vërtetë që fabrika e veturave e kohës së ish-Jugosllavisë ka qenë në Kragujevc, por gjithashtu është e vërtetë se ajo është bombarduar më 1999.
Do të thotë se fabrika është rindërtuar dhe punëtorët e fabrika i janë vënë në dispozicion FIAT-it. E kanë vazhduar punën aty ku kanë mbetur, me ndërprerje. Kurse te ne, thuajse nuk mbeti fabrikë në vend, pos asaj të birrës në Pejë, më duket. Krejt të tjerat u shuan, u shndërruan në diçka tjetër, dhe mbetën pa punëtorët që dikur i kishin pasur.
* * *
Se çfarë kanë të përbashkët moti aktual dhe ekonomia e Kosovës?
Zymtësinë e skajshme dhe depresive që të futë në gjumë, nga i cili vështirë këndellesh.
Po të kishim pasur stabilitet ekonomik; po të kishim pasur idenë se si të zhvillohemi duke punuar dhe prodhuar, pa pasur nevojë për importin e gjërave bazike që mundemi, po deshëm, t’i prodhojmë; po të kishim qenë më punëtorë sesa themi se jemi dhe po të na kishin gënjyer më pak krejt politikanët tanë, mbase sot do ta kalonim ditën me shi me energjinë që ta jep një ditë me diell.
Por jo, kjo e fundit nuk është pos një dëshirë që nuk mund të realizohet, sepse gjërat nuk ndryshojnë me dëshira në ajër dhe se pallavrat për rritjen ekonomike nuk janë asgjë më tepër sesa kaq – pallavra.
E gjithë energjia na shkoi duke u marrë me tema të mëdha politike. Ende nuk e kemi kuptuar se po të ishim të fortë ekonomikisht, pa asnjë dyshim, shumë më lehtë do ta kishim politikisht.
Dhe nuk është punë filozofie këtu. Është logjikë e pastër.